Misioni i Egnatia në Europë do të vazhdojë, por këtë herë në UEFA Europa League. Pasi mbyllën kapitullin në Champions, falë humbjes përmes penalltive përballë Celjes, ekipi i Nevil Dedes do të përgatitet për dy ndeshjet që do të zhvillojnë përballë Shamrock Rovers, irlandezët të cilët dolën po ashtu nga e njëjta garë europiane pasi u eliminuan nga Ararat Armenia.
Sipas programit të përcaktuar nga UEFA, ndeshjen e parë “djemtë” e Dedes do ta luajnë më 6 gusht në transfertë, ndërsa atë të kthimit më 13 gusht në “Arena Egnatia”. Një tjetër shans i mirë për rrogozhinasit, pasi nga ky short, do të ketë mundësinë ideale për të provuar në Rrogozhinë hedhjen e një hapi historik drejt “playoff” të këtij kompeticioni dhe së paku, grupet e Conference League.
Puna do të nisë shumë shpejt, pasi të hedhin pas “krahëve” zhgënjimin që morën mbrëmjen e djeshme në Slloveni përballë Celje, ndeshje maksimalisht e luftuar deri në minutat e fundit të shtesës, por fati nuk anoi tek ta në “ruletën ruse”.
