Trajneri i Chelseat, Xabi Alonso, është impresionuar nga paraqitja e sulmuesit brazilian Joao Pedro, i cili ka nisur me ritëm të lartë përgatitjet parasezonale pas zhgënjimit për mos-përfshirjen në Kupën e Botës.
Sulmuesi 24-vjeçar shënoi një het-trik brenda vetëm nëntë minutave në fitoren 6:4 të Chelseat ndaj Western Sydney Wanderers, në ndeshjen e parë miqësore të skuadrës londineze para sezonit të ri. Joao Pedro iu bashkua Chelseat nga Brighton një vit më parë dhe pati një sezon të parë të shkëlqyer në “Stamford Bridge”, duke realizuar 20 gola në të gjitha garat.
Paraqitjet e tij bënë që tifozët e klubit ta shpallnin lojtarin e sezonit, por kjo nuk mjaftoi për ta siguruar një vend në kombëtaren e Brazilit për Botërorin. Xabi Alonso vlerësoi motivimin e lartë të sulmuesit brazilian dhe theksoi se ai është i vendosur për të pasur një sezon edhe më të mirë. “Është shumë i uritur. Joao është vërtet i vendosur për të pasur një sezon të madh.
Pas një viti të shkëlqyer, ku shënoi shumë gola, ai dëshiron të vazhdojë të shënojë edhe më shumë”, ka thënë Alonso. Trajneri spanjoll shtoi se suksesi i sulmuesit nuk varet vetëm nga ai, por edhe nga mbështetja e bashkëlojtarëve.
Ndërkohë, Joao Pedro ka shprehur kënaqësinë për mënyrën e punës me Alonso-n, duke thënë se ndihet më i lirë në fushë nën drejtimin e ish-trajnerit të Bayer Leverkusenit. “Është një trajner shumë i hapur. Flasim shumë dhe ndihem i lirë. Kur luaj përpara, lëviz shumë dhe ai më jep mundësi të luaj në pozicione të ndryshme, herë në krah e herë në qendër”, u shpreh braziliani.
Chelsea po përgatitet për sezonin e ri nën drejtimin e Xabi Alonsos, i cili ka për detyrë ta rikthejë klubin londinez në nivelet më të larta pas një edicioni të kaluar zhgënjyes. Në turneun përgatitor, Chelsea do të përballet së shpejti me Tottenhamin në një ndeshje miqësore në Sydney, para takimeve të tjera në Hong Kong, Indonezi dhe Malajzi.
