Kujt po i shpall luftë analfabeti funksional, Qëndrim Kryeziu ? Atyre që e votuan Gjykatën Speciale ? Atyre që nuk e votuan Gjykatën Speciale ? Shoferëve që po i mbushin makinat dhe automjetet e tyre me benzinë dhe naftë në pompen e Azem Syles, dajës së tij ? Apo inspektorëve që kanë gjetur në të njëjtën pompë parregullsi ?
Në shoqëritë e qytetëruara dhe paqedashëse të vendeve normale, njerëzit shqetësohen deri në tronditje, kur e dëgjojnë fjalën “luftë”. Tek ne, idiotët analfabetë dhe luftënxitës si Qëndrim Kryeziu dhe të ngjashmit e tij, e shqiptojnë fjalën luftë me një lehtësi sikur ta shpallnin parashikimin e motit.
Sipas kësaj logjike, nëse një gjykatë e dënon dikë që është idhull politik ose emocional i Qëndrim Kryeziut, provat papritur humbin çdo rëndësi. E vetmja gjë që ka rëndësi është të krijohet dramë dhe të shpallet lajmi ogurzi: “Tani do të ketë luftë.” Një lloj meteorologjie politike në formën e saj më të pastër: sot reshje, nesër stuhi, pasnesër luftë. Por luftë kundër kujt?
Kundër qytetarëve që besojnë se ligji duhet të vlejë njësoj për të gjithë? Kundër deputetëve që dikur votuan për krijimin e Gjykatës Speciale? Kundër atyre që nuk e votuan? Apo ndoshta kundër kujtdo që refuzon t’u bindet dogmave të tyre politike? Unë i shoh si një tufë gjallesash dykëmbëshe që parashikojnë vazhdimisht katastrofa, sepse profecitë e tyre nuk u kushtojnë asgjë.
Fjalët janë falas, ndërsa faturën e paguajnë gjithmonë të tjerët. Ekziston një kastë e tërë pseudombrojtësish të politikanëve me kollare, të cilët për vite me radhë kanë vjedhur dhe tradhtuar, duke bërtitur: “Rroftë UÇK-ja!” Këta pseudombrojtës nuk mbijetojnë duke i zgjidhur problemet, por duke i fshehur shkaktarët e problemeve.
Sa herë që u mungojnë argumentet, i rikthehen armës së tyre më të vjetër: paralajmërojnë luftë dhe shpikin armiq imagjinarë. Ironia më e madhe është se, ndërsa paraqiten si mbrojtës të popullit, shpesh janë pikërisht ata që i shkaktojnë dëmin më të madh shoqërisë që pretendojnë se e mbrojnë. Nëse nuk ka krizë, ata do ta shpallin. Nëse nuk ka armik, do ta shpikin.
Nëse nuk ka luftë, do ta paralajmërojnë. Sepse normaliteti nuk u sjell përfitime politike e as klikime mediatike, ndërsa paniku është gjithmonë një mall fitimprurës. Kosova nuk ka nevojë për profetë të apokalipsit.
Kosova ka nevojë për njerëz që e kuptojnë peshën e fjalës, që i respektojnë institucionet dhe që e dinë se një shoqëri e përgjegjshme nuk ndërtohet duke kërcënuar vazhdimisht me luftë sa herë që faktet nuk përputhen me bindjet politike të dikujt. Historia, në fund, rrallë i kujton ata që bërtisnin më fort për fundin e botës.
Ajo i kujton ata që, në kohët më të vështira, e ruajtën arsyen, folën me përgjegjësi dhe refuzuan të nxisnin frikë apo panik për përfitime politike financiare, ekonomike apo mediatike.
