Një konflikt mes dy vëllezërve në Podujevë ka eskaluar në një incident të rrezikshëm, ku njëri prej tyre dyshohet se doli i armatosur me një sëpatë dhe një thikë, duke përfunduar në prangat e Policisë. Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se i dyshuari është E. P., 49 vjeç, ndërsa viktimat janë A. P., 44 vjeç, dhe N. S., 41 vjeç.
Sipas informacioneve, ngjarja ka ndodhur të hënën në rrugën “Skënderbeu” në Podujevë, ku pas raportimit për një mosmarrëveshje kanë ndërhyrë njësitë policore. Gjatë veprimeve policore, ankuesi ka deklaruar se konflikti kishte shpërthyer me vëllain e tij dhe, nga frika se ai mund të ndërmerrte ndonjë veprim të dhunshëm, ishte detyruar t’ia bllokonte duart.
Në kontrollin e kryer, Policia i ka sekuestruar E. P. një sëpatë (kmesë) dhe një thikë, të cilën e mbante në xhepin e pantallonave. Të gjitha palët janë intervistuar në stacion policor, ndërsa me urdhër të Prokurorit të Shtetit është iniciuar rasti për veprën penale “Kanosje”. Me vendim të Prokurorit, E.
P. është ndaluar për 48 orë, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit janë në vazhdim. Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
