Presidenti Donald Trump ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara po zhvillojnë “bisedime të mira” me Iranin dhe se ka një mundësi për marrëveshje mbi konfliktin e tyre, por ka paralajmëruar se sulmet amerikane do të rinisin nëse negociatat nuk do japin rezultate, raporton Reuters .
Pavarësisht optimizmit të Trumpit, Teherani duket se ka testuar shpejt pauzën e fushatës ushtarake amerikane, me Arabinë Saudite, Jordaninë dhe Irakun që të hënën raportuan sulme me dronë. Uashingtoni ka pezulluar papritmas të shtunën fushatën dyjavore të sulmeve ajrore ndaj Iranit në kthesën e fundit strategjike të Trump në konfliktin pesëmujor.
“Po zhvillojmë bisedime të mira”, ka deklaruar Trump. “Mendoj se ka një shans të mirë që diçka të mund të ndodhë, dhe nëse ndodh, mirë, nëse jo, ne kthehemi të bëjmë atë që po bënim dy ditë më parë”. Në një tubim fushate në Miçigan më vonë të hënën, sipas kohës lokale amerikane, presidenti Trump ka deklaruar për Iranin: “Nuk mund t’i korruptosh.
Duhet t’i mundësh dhe ne do t’i mundim plotësisht. Por do të shohim se si do të shkojë puna. Tani për tani, po zhvillohen negociata shumë miqësore”.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmail Baghaei, ka deklaruar se mesazhet ende po përcillen midis palëve përmes ndërmjetësve dhe se Irani nuk ka hequr dorë prej diplomacisë, por ka theksuar se janë “të sajuara” raportet se Tehernai kërkoi negociata. “Kjo nuk është në ADN-në tonë”, ka theksuar ai.
Një zyrtar i lartë iranian i ka deklaruar Reutersit të dielën se Irani do të ndalë sulmet për sa kohë që respektohet armëpushimi i vetë-imponuar i Trumpit.
Komanda qendrore ushtarake e Iranit më vonë të hënën akuzoi SHBA-në për kërcënimin e anijeve dhe tankerëve të naftës në ujërat e saj territoriale dhe për “përpjekjen për të zbatuar një bllokadë të paligjshme detare”, për të cilën tha se “përbën përshkallëzim të konfliktit në rajon”. Arabia Saudite ka njoftuar se ka rrëzuar dronë që synonin objektivat e naftës, përfshirë Riadin.
Arabia ka bërë të ditur se ato ishin nisur nga Iraku nga grupe të armatosura të mbështetura nga Irani dhe rezervoi të drejtën për t’u përgjigjur. Veçmas, aleatët huthë të Iranit në Jemen kanë theksuar se kishin synuar tubacionin Lindje-Perëndim që transportonte naftë në portin kryesor të Detit të Kuq të Arabisë Saudite, Yanbu, në hakmarrje për ndërhyrjet e dronëve sauditë.
Teherani ka theksuar gjithashtu se ka kontrollin të Ngushticës së kontestuar të Hormuzit, rrugës ujore kryesore për furnizimet globale me energji, ku Trump ka kërkuar që anijet të jenë në gjendje të kalojnë lirisht. Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com
