Edicionin e kaluar ishte thuajse gjithmonë titullar. Arbër Hoxha padyshim që e ka gjetur veten tek Dinamo e Zagrebit, dhe futbolli kroat për momentin është I gjithi I tij. Sidoqoftë, me nisjen e sezonit të ri, ylli kuqezi ka gjetur konkurrencë dhe kjo brenda skuadrës. Që nga 1 korriku, drejtuesit e bluve kanë marrë si përforcim ish-lojtarin e tyre ofensiv, Mislav Orshiç.
Po flasim për një futbollist shumë të talentuar dhe me nuhatje për golin, I cili vitin e kaluar luajti për ekipin qipriot, Pafos. Për Dinamon ka 91 gola e 40 asistë në 217 ndeshje gjithsej, pra me një kontribut të madh, dhe në ndeshjen e sotme në Champions, në stadiumin “Maksimir” të Zagrebit ndaj ekipit zviceran, Tun, pritet ta nisë nga minuta e parë.
Jo më kot është edhe idhull I tifozëve. Kështu ndodhi edhe në ndeshjen e parë në Zvicër, që përfundoi 1-1, kur Hoxha hyri në fushë vetëm në minutën e 66-të. Gjithsesi, mediat kroate shkruajnë se shqiptari ka shanset e tij, sidomos kur skuadrat mbyllen prapa, sepse është tepër I zoti në duelet një kundër një, ndërsa Orshiç është më shumë I rrezikshëm në kundërsulm.
Të shohim se cilat do të jenë idetë e trajnerit Kovaçeviç, I cili e vlerëson lart Hoxhën. Shqiptari nga Kosova pati 7 gola e 7 asistë në Ligën e Parë të Kroacisë në kampionatin e kaluar, duke qenë ndër më të mirët.
