Programi i Kinemasë Verore të Lumbardhit, i cili po zhvillohet në hapësirën DokuKino Plato në Prizren do të përmbyllë ciklin e shfaqjeve për muajin korrik me filmin “Butterflies” nga regjisori turk Tolga Karaçelik.
Sipas organizatorëve, gjatë këtij muaji Kinemaja Verore ka sjellë një seri filmash nën temën “Përtej rebelimit dhe absurdit”, duke trajtuar forma të ndryshme të zbulimit të identitetit, marrëdhëniet familjare dhe shoqërore, si dhe mënyrën se si kinemaja na nxit të reflektojmë mbi barrierat që ndërtohen në shoqëri.
Programi nisi me filmin “Persepolis”, me regji nga Marjane Satrapi dhe Vincent Parannoud, ndërsa javën pasuese u shfaq filmi “Corpus Christi”, me regji nga Jan Komasa. Ndërsa filmi i fundit për muajin korrik, “Butterflies” sjell historinë e tre vëllezërve dhe motrave të larguar prej njëri-tjetrit, e cila ndërthuret me motive surrealiste të jetës rurale.
Përmes një rrëfimi që kombinon absurdin me realitetin e përditshëm, filmi eksploron mënyrën se si njerëzit përballen me dhimbjen, traumën, identitetin dhe konceptin e familjes. Me një qasje që ndërthur elemente serioze dhe humoristike, “Butterflies” dekonstrukton idetë tradicionale mbi familjen dhe përkatësinë, duke sjellë një reflektim mbi marrëdhëniet njerëzore dhe sfidat personale.
Filmi është vlerësuar me Çmimin e Madh të Jurisë në Festivalin e Filmit Sundance në vitin 2018. Shfaqja e “Butterflies” do të mbahet të premten më 31 korrik, në DokuKino Plato në Prizren, duke filluar nga ora .
Programi i Kinemasë Verore të Lumbardhit mbështetet nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit, përkrahet nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) “EJA Kosovë”, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim dhe Suedia, si dhe nga DokuFest.
