Çdo borxh, në çdo formë, edhe pse është praktikë e përbotshme dhe masivisht e përhapur, edhe në marrëdhëniet mes shteteve, qeverive, vendeve…, në mënyrë figurative dhe të provuar, është edhe lak në fyt për borxhemarrësit! Sidomos për shumicën e popullit taksapagues!
Gjithsesi, këta mbi 300 milionë dollarë që po na jep AMERIKA, me një marrëveshje “me tekst super sekret”, kuptohet për popullin, vonuar për zvarritje nga Rama- qeveria nja dy vjet, së pari, siç është edhe kushti amerikan, na sjellshin vetëm të mira e dobira!
Së pari, edhe pse vijnë duke zbazur depo kolosale amerikane me armë jo fringo, por ca të hershme, gjithsesi, qofshin topa, dronë, avionë, raketa me kapacitete të larta, të afta me u mbrojt nga Serbia e “vëlla” apo “mik” Vuçiçit të “Ballkanit të hapur”!
Pastaj, një pjesë nga këto 302 miliona dollarë, na iu bëfshin djemve tanë ushtarakë edhe gjak e dhjamë e ne të gjithëve jo si “pranga” nëpër duar e këmbë!
Ky borxh, i miratuar me turravrap nga grupi parlamentar socialist më , për një intrigë të re kundër opozitës, për t’i lënë në derë kopilin e vet të antiamerikanizmit 50 vjeçar, na ndihmoftë të na shpëtojë edhe nga një 97 e dytë, nisur ose nga Tirana, ose nga Prishtina, për të cilën po investohet pa u kursyer nga Beogradi, Athina, Moska e nga qarqe enveristo- sigurimase shqiptare…!
Edhe që të na forcojë mbrojtjen dhe ushtrinë, për t’i bërë sa më afër standardeve të AMERIKËS dhe NATO- s! Gjithsesi, borxhi është borxh dhe duhet shlyer apo larë! Në mos më parë, sipas marrëveshjes, në kohën e përcaktuar, kuptohet, duke e shtrënguar ca rripin taksapsguesit! Kështu, edhe me AMERIKËN bujare shmanget mundësia për t’u turpëruar!
Gjithsesi, përshpejtimi i votimit, pas dy vjet vonese për neglizhencë a “harresë”; intriga dhe maskarada parlamentare e 27 korrikut…, deklaratat nga Rama, Peleshi, Balla…, japin arsye të bollshme për të kuptuar se kjo marrëveshje ushtarake, i duhej këto orë e ditë dhe u shfrytëzua nga Edi Rama me 83 kartonat, si rast me u afrue me Trumpin edhe një çikë…Fare troç, për një dorë përfitime politike, në këto mbi 6 javë protestash paqësore e më të fundit, më dramatike!
Por, edhe në këtë kohë hapjeje dosjesh kritike në Bruksel, Uashington, Berlin…,që mund të bëjnë kurbanë edhe ca “deshë” e “dele” apo “derra” e “dosa” në majën e piramidës qeveritare, mbush edhe me “çuna e goca” Shqipërie, Ekuadori, Arube, Holande…, ca në shtëpi e ca në kërkim dhe “arrati”!
Merret me mend, siç ka ndodh shpesh në këta 13 vjet të Rama- qeverisjes socialiste, për dosje të rënda korrupsioni; për biznese apo shitje thuajse falas të copave të mëdha Shqipëri, sidomos në Sazan, Zvërnec, Nartë, Karavasta- Divjakë, Durrës…; për drogra e vërera të shtrenjta; për kulla e komplekse moderne dhe madhore turistike…!
