Një person ka mbetur i plagosur pas të shtënave me armë zjarri në orët e para të mëngjesit në Prishtinë, ndërsa dy të dyshuarit janë larguar nga vendi i ngjarjes dhe po kërkohen nga Policia. Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se të dyshuar janë A. Xh. dhe A. Xh., ndërsa viktimë është K. M. (1996).
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, ngjarja ka ndodhur rreth orës në rrugën “Xheladin Hana”, pranë Picerisë “Doro”, ku Policia ka pranuar njoftim për të shtëna me armë zjarri. Kur njësitë policore kanë mbërritur në vendin e ngjarjes, kanë hasur një veturë BMW X6, me targa vendore, të braktisur, për të cilën dyshohet se është përdorur nga autorët.
Sipas dyshimeve fillestare të hetuesve, A. Xh. dhe A. Xh. kanë shtënë me armë në drejtim të viktimës dhe më pas janë larguar nga vendi i ngjarjes. I plagosuri, K. M, ka arritur në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku po merr trajtim mjekësor.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë hetuesit dhe ekipi i forenzikës, të cilët kanë kryer ekzaminimet e nevojshme, ndërsa me urdhër të Prokurorit të Shtetit është iniciuar rasti për veprën penale “Lëndim i rëndë trupor”. Policia është në kërkim të dy të dyshuarve, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit janë në vazhdim.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
