Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas vendimit për të thirrur Kuvendin e jashtëzakonshëm të partisë, i cili do të mbahet më 30 korrik, pas kërkesës së delegatëve për shkarkimin e tij nga posti i kryetarit. Në një postim në Facebook, Abdixhiku tha se në 37 vite histori të partisë, kjo praktikë nuk ka gjetur vend asnjëherë në LDK.
“Në pesë vite si Kryetar, ky është Kuvendi im i katërt. Në tri prej tyre, kam dalë vetë para anëtarësisë dhe kam kërkuar besimin e saj. Këtë herë, të njëjtin besim më është kërkuar ta rimarr përsëri; veçse njëanshëm me kërkesë për shkarkim. Në 37 vite histori, kjo praktikë nuk ka gjetur vend asnjëherë në LDK”- thuhet në reagim.
Ndonëse e ka konsideruar të panevojshëm mbajtjen e këtij Kuvendi, Abdixhiku tha se do ta respektojë këtë proces demokratik. “E kam konsideruar këtë Kuvend të panevojshëm, të pakohë, të pavend. Si proces të njëanshëm e konsideroj të dëmshëm; e konsideroj dhe përçarës. Jo për fatin tim individual, por për plagët që veçse ia ka lënë LDK-së. As nuk ka qenë koha; as vendi; edhe më pak mënyra.
Por zgjodhën një rrugë tjetër”- ka shkruar Abdixhiku. “Dhe demokracia këtë ka. Si të tillë, më duhet ta pranoj. Edhe kur nuk më duket e drejtë. Une e respektoj demokracinë; sepse e besoj. Prandaj ballafaqohem. Pres të sillen njejtë edhe të tjerët pas të enjtës kur LDK flet përsëri”- shton ai.
Kreu i LDK-së është shprehur se në Kuvend do të hyjë “me bindje, me qetësi dhe me besim të plotë” te delegatët, ndërsa u bëri thirrje atyre të marrin pjesë në proces. “Qëndroni, sepse, ndonëse ky nuk është Kuvendi që kam kërkuar, ai mund të bëhet Kuvendi që i jep LDK-së atë që i ka munguar më së shumti, qartësinë. Qartësinë se kjo shtëpi e madhe e demokracisë është veç e anëtarësisë!
Të enjtën, më 30 korrik, përcaktojmë LDK-në. Pas saj, le të përcaktojmë Republikën”- përfundoi ai. Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka njoftuar se kryetari i partisë, Lumir Abdixhiku, ka marrë vendim për thirrjen e Kuvendit të jashtëzakonshëm pas përfundimit të procedurave statutare për verifikimin e kërkesës së paraqitur nga delegatët e Kuvendit.
Sipas komunikatës së LDK-së, Sekretariati i Përgjithshëm ka verifikuar të gjitha nënshkrimet e dorëzuara dhe ka konstatuar se është përmbushur kriteri statutar i mbështetjes nga të paktën një e treta (1/3) e delegatëve të Kuvendit, kusht i nevojshëm për thirrjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm.
Pas përfundimit të këtij procesi, kryetari i LDK-së ka vendosur që Kuvendi i jashtëzakonshëm të mbahet të enjten, më , duke filluar nga ora . Në selinë e LDK-së janë deponuar 148 nënshkrime të delegatëve të LDK-së për mbajtjen e Kuvendit të jashtëzakonshëm dhe shkarkimin e tij nga detyra e kryetarit të partisë.
Sipas Statutit të LDK-së, Kuvendi thirret edhe atëherë kur këtë e kërkon 1/3 (një e treta) e delegatëve që e përbëjnë Kuvendin. Kuvendi, sipas Statutit, mbahet në afatin prej 60 ditësh nga dita kur është shtruar kërkesa me shkrim.
Mbledhja e nënshkrimeve për të thirrur Kuvendin e jashtëzakonshëm erdhi pasi disa degë të LDK-së, si Peja, Lipjani, Rahoveci, Dega e dytë e LDK-së në Prishtinë, ajo e Deçanit dhe dega e Austrisë kërkuan dorëheqjen e Abdixhikut pas rezultatit zgjedhor në qershor.
Pasi Abdixhiku refuzoi të dorëhiqej, filloi mbledhja e nënshkrimeve për shkarkimin e tij LDK në zgjedhjet e 7 qershorit ka fituar 18 ulëse në Kuvend pasi u rendit si subjekti i tretë në zgjedhje me 16.69% të votave.
