Pesë persona kanë humbur jetën dhe dy të tjerë kanë mbetur të lënduar pasi një automjet me shtatë pasagjerë doli nga rruga dhe ra në një përrua në zonën Manavgat të Antalyas, në jugperëndim të Turqisë. Aksidenti ndodhi në lagjen Beidigin, në aksin rrugor Tasayil–Derebutzhak.
Pas njoftimit nga dëshmitarët, në vendngjarje mbërritën ambulancat, zjarrfikësit, ekipet e Agjencisë së Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD) si dhe forcat e xhandarmërisë. Ekipet e shpëtimit zbritën në përrua dhe konstatuan se pesë prej pasagjerëve kishin humbur jetën në vendngjarje. Dy personat e lënduar u nxorën nga automjeti dhe u transportuan me helikopter drejt spitalit.
Guvernatori i Antalyas, Hulusi Sahin, bëri të ditur se njëra prej të lënduarve ishte shtatzënë, ndërsa konfirmoi se në automjet udhëtonin gjithsej shtatë persona. Autoritetet vijojnë hetimet për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit.
