Debatet për politikën shpesh përfundojnë në grindje, veçanërisht gjatë tubimeve familjare ose takimeve me miqtë Por një studim i ri tregon se problemi mund të mos jetë vetëm te dallimet në qëndrime, por edhe te supozimet tona të gabuara për atë se sa të gatshëm janë njerëzit – madje edhe ata që ndajnë bindjet tona politike – për të dëgjuar mendime ndryshe.
Pikërisht kureshtja mund të jetë çelësi për biseda më cilësore dhe mirëkuptim më të madh. Pse bisedat politike shpesh duken të pashpresa? Shumë njerëz besojnë se diskutimi për politikën nuk ka kuptim, sepse është pothuajse e pamundur t’ia ndryshosh dikujt mendimin. Prandaj shpesh këshillohet shmangia e këtyre temave, ndryshimi i bisedës ose tërheqja e plotë nga debati.
Kur shfaqen dallimet politike, është e lehtë të biem në kurthin e ndarjes së njerëzve në “ne” dhe “ata”. Në vend që bashkëbiseduesin ta shohim si një person me përvojat dhe arsyet e veta, fillojmë ta gjykojmë përmes stereotipeve dhe etiketave.
Këtij fenomeni i shtohen edhe paragjykimet njohëse, si prirja për të kërkuar informacion që konfirmon bindjet tona ose për t’u afruar më shumë me njerëzit që i përkasin grupit tonë. Një mënyrë e tillë të menduari e vështirëson dialogun e sinqertë dhe i thellon edhe më shumë ndarjet.
Zgjidhja nuk është bindja, por kureshtja Psikologët vlerësojnë se atmosfera e një bisede nuk përmirësohet duke përdorur argumente më agresive ose duke u përpjekur vazhdimisht të dëshmojmë se kemi të drejtë. Një qasje shumë më e dobishme është kureshtja e sinqertë. Kjo fillon nga vetja.
Edhe pse shpesh mendojmë se i kuptojmë në mënyrë të përsosur motivet dhe bindjet tona, studimet tregojnë se jo gjithmonë është kështu. Kur sigurinë absolute e zëvendësojmë me kureshtje, bëhemi më të hapur ndaj informacioneve të reja dhe më të gatshëm për të ndërtuar marrëdhënie më cilësore.
Psikiatri Irvin Yalom ka theksuar se pas shumë bindjeve të forta mund të qëndrojnë frika dhe nevoja më të thella njerëzore, si nevoja për siguri, përkatësi, liri ose kuptim. Qëndrimet politike ndonjëherë mund të jenë vetëm shprehje e jashtme e këtyre nevojave, transmeton Telegrafi. Çfarë tregoi studimi i ri?
Psikologu Todd Kashdan dhe bashkëpunëtorët e tij zhvilluan tri studime në të cilat shqyrtuan lidhjen mes kureshtjes dhe bisedave politike. Rezultatet treguan se njerëzit shpesh i vlerësojnë gabimisht edhe anëtarët e grupit të tyre politik. Shumë pjesëmarrës besonin se njerëzit që ndanin bindjet e tyre politike ishin më të mbyllur ndaj pikëpamjeve të ndryshme sesa ishin në të vërtetë.
Këto bindje të gabuara mund të krijojnë një qëndrim mbrojtës edhe para se biseda të fillojë, duke rritur tensionin dhe duke zvogëluar gatishmërinë për dialog. Ndërkohë, personat më kureshtarë treguan gatishmëri më të madhe për të mësuar nga bisedat politike, më shumë përulësi intelektuale, më pak reagime mbrojtëse dhe më shumë hapje ndaj këndvështrimeve të ndryshme.
Ata ishin gjithashtu më pak të prirur t’i shmangnin njerëzit me bindje politike të kundërta. Hapja ndaj mendimeve të tjera mund të nxitet Një nga përfundimet më interesante ishte se kureshtja mund të shtohej edhe përmes një ndërhyrjeje të thjeshtë psikologjike.
Pjesëmarrësve iu treguan të dhëna që sugjeronin se njerëzit nga grupi i tyre politik ishin më të hapur ndaj mendimeve të tjera sesa ata kishin menduar. Pas kësaj, pjesëmarrësit shprehën më shumë dëshirë për të mësuar gjatë bisedave politike, ishin më të gatshëm të dëgjonin pikëpamje të ndryshme dhe treguan kureshtje më të madhe shoqërore e politike.
Pra, askush nuk duhej bindur të ndryshonte qëndrimin politik. Mjaftoi të ndryshonte perceptimi se si mendojnë njerëzit “e anës sonë”. Ndonjëherë mjafton të dëgjosh Nevoja për përkatësi është një nga nevojat themelore njerëzore. Për këtë arsye, shpesh në mënyrë të pavetëdijshme përvetësojmë qëndrimet dhe sjelljet e grupit ku bëjmë pjesë.
Nëse besojmë se “tanët” mendojnë se pala tjetër nuk ka asgjë me vlerë për të thënë, edhe ne do të jemi më pak të gatshëm të dëgjojmë. Herën tjetër kur të gjendeni në një debat politik me familjarët ose miqtë, provoni ta lini për një moment mënjanë nevojën për të pasur të drejtë. Në vend të grindjes, bëni pyetje dhe dëgjoni me të vërtetë përgjigjet.
Ndoshta nuk do t’ia ndryshoni mendimin askujt, por mund të kuptoni më mirë pse dikush mendon ndryshe. Sepse ndonjëherë nuk është më e rëndësishmja të pajtohemi – mjafton të jemi të gatshëm ta dëgjojmë njëri-tjetrin.
