Pas më shumë se katër muajsh kur u hap thirrja për ndarjen e ndihmës momentale për studentë nga Komuna e Fushë-Kosovës për vitin akademik 2025/2026, më , u ngritën dyshime për procesin e përzgjedhjes së përfituesve.
Studentja Vesa Piskala konsideron se listat e përfituesve të publikuara nga Komuna e Fushë-Kosovës nuk ofrojnë të dhëna të mjaftueshme për të verifikuar nëse përzgjedhja është bërë mbi bazën e kritereve të përcaktuara në thirrje. Piskala tha se vetëm pas reagimit të saj publik u publikua një listë tjetër, ku figuroi edhe emri i saj si studente përfituese e ndihmës momentale.
“Atëherë pas shpalljes publike për ofrimin e këtyre bursave, pas tre muajve, veçse disa studentëve u janë ekzekutuar pagesat si përfitues, ndërkohë që nuk ka pasur asnjë njoftim zyrtar për ne studentët, në qoftë se kemi qenë përfitues apo jemi refuzuar.
Kështu që duke e parë këtë situatë, unë e kam dërguar një kërkesë në Drejtorinë e Arsimit, ku kam kërkuar për një transparencë, kam kërkuar me i parë listat e përfituesve, listat e atyre që janë refuzuar, si dhe procesverbalin dhe vendimin e komisionit vlerësues. Pra, pas kësaj kërkese dhe reagimit tim publik, nuk është që kam marrë ndonjë përgjigje zyrtare nga DKA-ja” – u shpreh ajo.
Piskala tha se ka reaguar edhe publikisht pasi që nuk është përfshirë në listën e parë të përfituesve. Sipas saj, në thirrjen publike të Komunës së Fushë-Kosovës ishte paraparë që studentët përfitues ta nënshkruajnë një kontratë të veçantë para ekzekutimit të mjeteve financiare.
Ndërsa, Valon Murseli, asamblisti i Partisë Demokratike të Kosovës në Kuvendin Komunal të Fushë-Kosovës, pretendon se mjetet janë shpërndarë te përfituesit ende pa u publikuar listat zyrtare. Ai kritikoi Komunën e Fushë-Kosovës edhe për formulimin e listave të përfituesve. Sipas tij, listat nuk përmbanin kriteret bazë me të cilat janë vlerësuar studentët.
“Lista e publikuar në ueb-faqen e Komunës lë shumë për të dëshiruar. Pra, nuk përmban as drejtimin, nuk përmban as notën mesatare, kriteret bazë me të cilat janë vlerësuar këta studentë. Edhe ata që nuk kanë përfituar me ditë se cila notë, cili drejtim, pse ka përfituar ky në listën e parë, ndërsa në listën pas presionit ndoshta ka dalë edhe një listë e dytë.
Nuk ka asnjë shumë se sa është përfituar nga kjo thirrje. As nga thirrja publike nuk është cekur fillimisht kur është hapur më 1 prill, nuk është cekur shuma që do ta përfitojnë këta studentë. Çfarë lë shumë për të dëshiruar dhe është e dyshimtë është se ka informata se mjetet u kanë dalë studentëve nga lista e parë, para se të shpallen këto lista.” – theksoi ai.
Lidhur me këtë çështje, nga Drejtoria komunale e Arsimit treguan se numri i përfituesve sipas kritereve ka qenë i vogël në krahasim me pritjet e tyre dhe si pasojë e kësaj është marrë vendimi që shuma e mbetur e parave t’u shpërndahet aplikantëve të mbetur, të cilët janë banorë të Komunës së Fushë-Kosovës.
Drejtori Sabri Xhigoli sqaroi se përfituesit e listës së parë, që studiojnë në nivelin Bachelor kanë përfituar nga 300 euro, ndërsa për përfituesit që studiojnë në nivelin Master ai tha se janë ndarë shumat prej 400 eurosh. Ndërsa, për listën e dytë, Xhigoli tregoi se janë shpërndarë nga 200 euro për të dy nivelet. “Kriteret janë mirë të prezantuara, të specifikuara mirë.
Por, në kohën kur është mbyllur dhe ka përfunduar koha e aplikimit, komisioni përkatës i ka marrë të gjitha dosjet, ka filluar t’i trajtojë veç e veç, një nga një, dhe sipas kritereve ka dalë që numri i përfituesve është i vogël në krahasim me pritjet.
Në ndërkohë, gjithëherë duke pasur parasysh se ka mbetur një shumë e konsiderueshme e parave, ka dalë ideja dhe është marrë vendim mbi këtë ide që të gjithë aplikantëve të cilët janë banorë të Komunës së Fushë-Kosovës dhe studentë, qoftë të nivelit Bachelor, qoftë të nivelit Master, t’u ndahen nga 200 euro” – tha Xhigoli.
Ndërkaq sa u përket pretendimeve të studentes, Vesa Piskala, lidhur me mospërfshirjen në listën e parë ndonëse, sipas saj, plotësonte të gjitha kriteret, nga Drejtoria e Arsimit sqaruan se kjo ka ndodhur gabimisht dhe se ajo është përfshirë në listën e dytë, me të njëjtat kushte monetare si përfituesit e listës së parë.
“E kam pasur një mesazh nga një studente se është dashur të jetë në grupin e parë dhe për arsye të gabimeve në procedurë nuk është përfshirë në grupin e parë. Është korrigjuar, edhe ajo ka përfituar tash, po sipas kritereve të grupit të parë.
Më ka shkruar, ia kam kthyer përgjigjen, i thash mund t’ju pranoj në bisedim, jam i interesuar për çështjen e saj dhe e di që ka përfituar ashtu sikurse që ka përfituar numri i të gjithë studentëve sipas kritereve, që është bërë publik në listën e parë.” – tregoi Xhigoli për KALLXO.com.
Këto pretendime i mohoi studentja, Vesa Piskala, e cila tha se nuk ka pranuar kërkesë për të biseduar rreth çështjes së ngritur nga ajo. Tutje, për çështjen e publikimit të listave vetëm me emër dhe mbiemër, drejtori Sabri Xhigoli tha se nuk e kanë parë të arsyeshme vendosjen e të dhënave të tjera.
Dhe sa i përket nënshkrimit të kontratës, Xhigoli vlerësoi se më korrekte do të ishte që fillimisht të nënshkruhet kontrata e më pas të ekzekutohen mjetet.
“Çdo kandidat e ka dosjen te komisioni përkatës dhe ata nuk e kanë parë të arsyeshme dhe të nevojshme, meqë është dosja, meqë aty janë shënimet të gjitha evidente dhe të posedueshme, nuk e kanë parë të arsyeshme përveç emrave dhe mbiemrave të kandidatëve të qesin ndonjë informacion më shumë.
Sipas meje, ndoshta më korrekte do të ishte që fillimisht të nënshkruhet kontrata, nëse duhet të nënshkruhet, e më pastaj të përcillen mjetet financiare në kontë, sipas meje.” – theksoi tutje ai. www.kallxo.com
