Shiu që vërshoi nënkalimin e Ferizajt afër Stacionit të Policisë pas reshjeve të stuhishme të mëngjesit, ka filluar të largohet. “Mirë është gjendja, por tepër shumë shi ka ra. I kemi pasur disa telashe te nënkalimi, por është stabilizu gjendja”- ka thënë për KALLXO.com drejtori komunal i Shërbimeve Publike dhe Emergjencave, Alberton Sahiti.
Sahiti ka thënë se disa shtëpive u janë vërshuar bodrumet në Jezerc e Zllatar, por nuk janë rrezikuar katet e banimit. Ai pret se reshjet e dendura do të ndalen paradite dhe se kjo do ta lehtësonte punën e ekipeve në terren. Mëngjesin e sotëm një segment i nënkalimit në Ferizaj te Policia ishte i vërshuar pas reshjeve të shiut duke vështirësuar edhe qarkullimin e automjeteve.
