Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Gjakova” ka njoftuar se, si pasojë e reshjeve të fundit, është rritur turbullira e ujit në burimet që furnizojnë fshatrat e Rekës së Keqe. Sipas komunikatës së kësaj kompanie, kjo gjendje ka pamundësuar trajtimin e ujit sipas standardeve të kërkuara për ujë të pijshëm.
Për këtë arsye, qytetarët në këtë zonë janë njoftuar që ujin nga rrjeti i ujësjellësit të mos e përdorin për konsum deri në një njoftim të radhës. Uji, sipas KRU “Gjakova”, mund të përdoret vetëm për nevoja sanitare. Ekipet laboratorike të kompanisë janë duke kryer analiza të vazhdueshme kimiko-fizike të ujit.
Sapo rezultatet të tregojnë se turbullira është brenda normave të lejuara për konsum, qytetarët do të njoftohen menjëherë.
