Kosova dhe Franca kanë nënshkruar të hënën pesë marrëveshje, të cilat synojnë forcimin e bashkëpunimit dypalësh në disa fusha. Marrëveshjet u nënshkruan gjatë vizitës zyrtare në Kosovë të ministrit të Deleguar për Evropën të Francës, Benjamin Haddad, i cili u prit në takim nga ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca.
Palët nënshkruan një letër qëllimi për themelimin e Komunitetit Kosovaro-Francez, në mbështetje të organizimit të Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030. Po ashtu, u nënshkruan marrëveshja administrative për mësimdhënien e gjuhës frënge në Kosovë, marrëveshja për ndihmë juridike të ndërsjellë në çështje penale dhe marrëveshja për ekstradimin.
Në kuadër të vizitës u nënshkrua edhe marrëveshja e kredisë me Agjencinë Franceze për Zhvillim, e cila lidhet me financimin e projektit për organizimin e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030. Katër marrëveshjet e para u nënshkruan nga Glauk Konjufca dhe Benjamin Haddad, ndërsa marrëveshja e kredisë u firmos nga ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, dhe ministri francez.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
