Bashkimi Evropian ka mobilizuar avionë zjarrfikës, helikopterë dhe personel për t’i ndihmuar Francën dhe Spanjën, ndërsa zjarret e mëdha vazhdojnë të përhapen në të dyja vendet. Sipas Komisionit Evropian, më shumë se 300 mijë persona janë detyruar të evakuohen ose të strehohen në zona të sigurta për shkak të rrezikut nga flakët.
Ndihma është aktivizuar përmes Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së. Për Francën janë dërguar shtatë avionë dhe katër helikopterë nga Republika Çeke, Kroacia, Gjermania, Portugalia, Sllovakia, Suedia dhe Turqia. Ndërkaq, për Spanjën janë mobilizuar gjashtë avionë zjarrfikës nga Greqia, Italia dhe Turqia.
Portugalia ka dërguar gjithashtu 134 pjesëtarë të ekipeve emergjente dhe 41 automjete për t’i mbështetur operacionet në terren. Një zyrtar ndërlidhës i Komisionit Evropian është vendosur në Bordo për të ndihmuar në koordinimin e ndihmës me autoritetet franceze.
Komisioni bëri të ditur se ekipe zjarrfikëse nga disa vende evropiane ishin pozicionuar paraprakisht në Francë dhe Spanjë para fillimit të sezonit të zjarreve, duke mundësuar reagim të menjëhershëm pas përhapjes së flakëve.
Evropa po përballet me një valë zjarresh shkatërruese, veçanërisht në Francë, Spanjë dhe Greqi, ndërsa temperaturat e larta kanë ndikuar në përhapjen e vatrave të shumta. Në Spanjë, zjarret në Avila dhe Madrid kanë djegur afro 45 mijë hektarë dhe kanë detyruar rreth 100 mijë persona të evakuohen ose të strehohen në vende të sigurta.
Në Francë, zjarri i madh që shpërtheu në Saumos të rajonit Gironde ka përfshirë rreth 42 mijë hektarë, ndërsa afro 220 mijë persona janë larguar nga zonat e rrezikuara. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
