Flakët kanë përfshirë disa hapësira me mbetje pas korrje-shirjeve në rajonin e Lipjanit. Kjo ka ngritur shqetësim te banorët e fshatit Gushtolicë, pasi flakët janë afruar pranë disa shtëpive. Ekipet e zjarrfikësve kanë dalë menjëherë në terren për të intervenuar dhe për të vënë situatën nën kontroll.
Pamjet nga vendi i ngjarjes tregojnë se zjarri ishte afruar në afërsi të zonave të banuara. Zëvendëskomandanti i Brigadës Profesionale të Zjarrfikësve në Prishtinë, Abdusamed Shkodra, ka bërë të ditur për Klanin se ekipet e zjarrfikësve nga Prishtina janë duke asistuar njësitë e rajonit të Lipjanit në përballimin e zjarrit.
Sipas tij, aktualisht nuk ka rrezik për përhapje të mëtejshme të zjarrit. “Janë djegur mbetjet e grunajave. Kemi një ekip të zjarrfikësve që po asiston rajonin e Lipjanit. Ekipet janë në vendin e ngjarjes, por nuk ka diçka që paraqet rrezik”, ka deklaruar Shkodra.
Zjarrfikësit vazhdojnë të jenë në terren për të monitoruar situatën dhe për të parandaluar riaktivizimin e vatrave të zjarrit./Telegrafi.
