Turistët e huaj mahniten nga Rugova: Është si të jesh në Alpe

0%

Turizmi në Kosovë po zgjon gjithnjë e më shumë interesin e vizitorëve të huaj, veçanërisht për destinacionet malore dhe turizmin në natyrë. Ndër destinacionet që po tërheqin vëmendje të veçantë është edhe Lugina e Rugovës.

Turistë nga Belgjika dhe Gjermania, të cilët pas një udhëtimi disa mujor nëpër Ballkan vendosën ta vizitojnë edhe Kosovën, thonë se natyra e paprekur, qetësia dhe mikpritja janë ndër arsyet kryesore pse Rugova meriton të vizitohet nga shumë më tepër turistë. “Kur vozit nëpër Grykë është spektakolare.

Pastaj ngjitesh në Parkun Kombëtar dhe është sikur të jesh në Alpe, por me shumë më pak njerëz. Dje ecëm për pesë orë dhe takuam vetëm një person”, ka thënë një turist nga Belgjika. Për çiftin, Kosova ishte destinacioni më pak i njohur i udhëtimit. Pikërisht mungesa e informacionit për vendin i bëri kureshtarë që ta vizitonin dhe ta eksploronin vetë.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

“Nuk kishim lexuar shumë për Kosovën, sepse pak njerëz udhëtojnë këtu. Kjo na bëri kureshtarë të vinim dhe ta eksploronim vetë”, ka thënë turistja nga Gjermania. Përveç peizazheve, vizitorët thonë se përshtypje të veçantë u ka lënë edhe mikpritja. Nga kampingu në Gjakovë e deri te banorët e Rugovës, ata thonë se janë ndier të mirëpritur që në ditën e parë të udhëtimit.

“Na pëlqyen shumë njerëzit këtu. Janë jashtëzakonisht mikpritës. Që ditën e parë në kamping na bënë të ndihemi si në shtëpi. Edhe pse nuk kishte vend për kampim, brenda pak minutash na ofruan edhe birrë”, ka rrëfyer turistja gjermane. Në Rugovë, vizitorët nuk provuan vetëm shtigjet malore.

Turisti belg, 65-vjeçar, përfundoi edhe tri Via Ferrata, duke e cilësuar zonën si të sigurt dhe të përshtatshme për adhuruesit e aventurës, pavarësisht moshës. “Jam 65 vjeç dhe ende po e shijoj këtë aventurë. Bëmë tri Via Ferrata dhe shpresoj ta vazhdoj këtë edhe për 20 vjet të tjera”, ka thënë ai.

Sipas turistëve, potenciali i Kosovës për zhvillimin e turizmit në natyrë ende nuk është shfrytëzuar plotësisht. Ata vlerësojnë se zhvillimi duhet të fokusohet më shumë në kampingje dhe përvoja në natyrë, sesa në ndërtimin e hoteleve. “Ka shumë njerëz që udhëtojnë me furgonë kampingu, por këtu ka pak vende për ta. Nuk ka nevojë për shumë hotele.

Mjafton të krijohen hapësira për kampim dhe parkim, që njerëzit ta shijojnë natyrën”, ka thënë turisti belg. Përveç natyrës dhe aventurës, vizitorët provuan edhe ushqimet tradicionale shqiptare. Ndër gatimet që u lanë përshtypje ishte byreku me spinaq dhe djathë. “Hëngrëm një lloj byreku me spinaq dhe djathë. Nuk ia dinim emrin, por ishte shumë i shijshëm”, ka thënë turistja nga Gjermania.

Në fund të vizitës, mesazhi i tyre për Kosovën ishte i qartë. “Nga të gjitha vendet që kemi vizituar, Kosova dhe shqiptarët janë ndër njerëzit më mikpritës që kemi takuar. Kjo është e rrallë sot dhe është arsyeja pse do ta rekomandojmë këtë vend edhe për të tjerët”, ka thënë turisti belg.

Përvojat e këtyre vizitorëve tregojnë se natyra, mikpritja dhe autenticiteti mbeten ndër asetet më të forta të Kosovës në fushën e turizmit. Sfida, megjithatë, mbetet zhvillimi i infrastrukturës për turizmin në natyrë, pa humbur pikërisht ato vlera që i bënë turistët ta krahasojnë Luginën e Rugovës me Alpet

Burimi: Telegrafi