Një vajzë 18-muajshe humbi jetën pasi dyshohet se u la për disa orë brenda një automjeti transporti të një çerdheje në Portugali. Vogëlushja, e identifikuar vetëm si Sofia, dyshohet se ishte marrë nga shtëpia rreth orës për t’u dërguar në çerdhe, por kishte mbetur brenda automjetit për disa orë.
Sipas raportimeve, stafi i çerdhes nuk e kishte kuptuar se fëmija mungonte, derisa nëna e saj shkoi për ta marrë më vonë gjatë pasdites dhe u informua se Sofia nuk kishte shkuar fare në çerdhe atë ditë. Gjyshja e vajzës tha se Sofia dërgohej çdo ditë në të njëjtën orë dhe se ardhja e saj duhej të ishte regjistruar në sistemin e çerdhes. “Çdo ditë ajo dërgohet në të njëjtën kohë.
Kur nuk dërgohet, gjithmonë ekziston një evidencë për këtë. Duhet të ketë edhe regjistrim të orës së mbërritjes, por nuk ishte e mundur të na tregonin një të tillë”, u shpreh ajo. Sofia ndiqte një çerdhe në zonën e Pragalit, por automjeti ku dyshohet se ishte lënë ishte parkuar jashtë një objekti tjetër të të njëjtit institucion, në Avenida do Cristo Rei, raporton Mirror .
Gjyshja tregoi se nëna e vajzës mbërriti në çerdhe për ta marrë, por punonjësit nuk dinin se ku ndodhej fëmija. “Vajza ime shkoi për të marrë vajzën e saj dhe askush nuk e dinte se ku ishte. Vetëm atëherë na treguan se ajo nuk kishte qenë në çerdhe”, tha ajo.
Rasti ka shkaktuar tronditje në Portugali dhe autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat që çuan në vdekjen tragjike të vogëlushes. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!