Tetë persona, mes tyre gjashtë fëmijë, janë gjetur të vdekur në një banesë në Michigan, SHBA, pas një zjarri. Sipas mediave amerikane, disa prej viktimave kanë pasur plagë të shkaktuara nga armë zjarri, ndërsa hetuesit po shqyrtojnë edhe pistën e një vrasjeje të ndjekur nga vetëvrasja.
Ngjarja ndodhi në një banesë në Grand Haven Township, në bregun lindor të liqenit Michigan, rreth 40 kilometra në perëndim të Grand Rapids. Pas shuarjes së zjarrit, policia dhe shërbimet zjarrfikëse hynë në banesë, ku gjetën trupat e viktimave. Identifikimi i tyre ende nuk është përfunduar plotësisht, ndërsa shkaqet e vdekjes mbeten për t’u përcaktuar.
Sipas autoriteteve, fëmijët e përfshirë në ngjarje mendohet të jenë nga 5 deri në 15 vjeç. Hetimet vijojnë për të zbardhur rrethanat e tragjedisë, ndërsa autoritetet po verifikojnë të gjitha pistat e mundshme.
