Redaksia e gazetës austriake “Die Presse” distancohet nga intervista

0%

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në një intervistë për gazetën austriake „Die Presse“ deklaroi të njëjtat gjëra që i thotë zakonisht edhe në mediat e regjimit serb. Bordi redaktues i kësaj gazete ditore është i „befasuar dhe i shqetësuar“ si dhe distancohet nga ajo bisedë, shkruan e përditshmja “Danas” e Beogradit.

Në epizodin e parë të podkastit „Masterclass me Rainer Novak“, drejtori i përgjithshëm i gazetës ditore dhe konservatore austriake „Die Presse“ bisedoi me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjë që u transmetua nga mediat e regjimit serb si një provë tjetër e autoritetit dhe ndikimit që udhëheqësi i SNS-së gëzon në botë.

Në këtë intervistë, Vuçiq foli për fushatat që zhvillohen kundër tij, duke pretenduar se asnjë udhëheqës evropian nuk i është dashur të kalojë përmes diçkaje të ngjashme. Ai i quajti „gënjeshtra“ si „aferën Jovanjica“ (mbi plantacionet e drogës), ashtu edhe „topin me zë“ (të përdorur kundër demonstruesve) dhe pjesëmarrjen e tij në „vrasjet në Sarajevë“, transmeton revista Vreme.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Në pyetjen nëse gjatë 10 viteve të fundit është bërë më „autoritar“, udhëheqësi i (partisë në pushtet) SNS u përgjigj se „pas tre muajsh do të fitojë në zgjedhje shumë më demokratike se ato që kanë shumë vende“, kështu që nëse kjo është shprehje e autokracisë…?

Vuçiq thuri lavde për kancelarin austriak Christian Stocker, madhëroi sukseset e veta ekonomike e reformat dhe theksoi përkushtimin e tij ndaj integrimeve evropiane të Serbisë. Ai tha se njerëzit nuk duhet të punojnë më pak, por më shumë për të rritur produktivitetin, se pëlqen shumë më tepër verën sesa birrën, e kështu me radhë.

Novak nuk e kundërshtoi Vuçiqin në asnjë pikë; ai e udhëhoqi bisedën në mënyrë të tillë që doli të jetë pohuese dhe afirmuese për presidentin e Serbisë dhe politikën e tij.

Bordi redaktues i kësaj gazete të respektuar u gjend i zënë në befasi nga biseda që Novak zhvilloi me Vuçiqin. „Bordi redaktues, ashtu si shumë prej jush, është i befasuar dhe i shqetësuar nga formati i ri ‘Masterclass me Rainer Novak’. Ne nuk kemi qenë të informuar për të paraprakisht.

E konsiderojmë problematik edhe nga pikëpamja e statutit të redaksisë, sepse duket si përmbajtje redaksionale, edhe pse nuk është krijuar në redaksi. Gjithashtu nuk është e qartë se për çfarë lloj bashkëpunimi bëhet fjalë“, thuhet në një e-mail të brendshëm të redaksisë, të cilin e ka siguruar e përditshmja austriake „Standard“.

Aty theksohet më tej se Bordi redaktues „tashmë ka marrë disa pyetje e kërkesa“ lidhur me këtë format dhe se „do ta shqyrtojë të gjithë rastin“. Biseda e Novak me Vuçiqin nxiti kritika të shumta në rrjetet sociale austriake.

Esenca e tyre është se presidenti i Serbisë sigurisht që duhet të intervistohet, por jo për të folur rreth asaj se si ai e „kupton udhëheqësinë“, por për t’u përballur me vetë politikën e tij. Novak u mbrojt duke thënë se formati i tij i ri nuk duhet të jetë „as një seri miqësore anekdotash nga karriera e dikujt, por as një intervistë klasike ballafaquese“.

Qëllimi, thotë ai, është të spjegohet pushteti, udhëheqësia dhe, në fund të fundit, vetë njeriu. Ai tha se Aleksandar Vuçiq prej vitesh është një nga figurat politike më me ndikim në Ballkanin Perëndimor dhe për këtë arsye një bashkëbisedues interesant, por se kjo në asnjë mënyrë nuk do të thotë mbështetje për politikën apo mënyrën e tij të qeverisjes. „Kontakti dhe oferta për bisedë drejt Beogradit dhe nga Beogradi u realizuan disa javë më parë“, tha Novak, prandaj nuk është plotësisht e qartë se kush kë e ka kontaktuar i pari.

Ai shpjegoi gjithashtu se projekti është konceptuar si një podkast dhe video-format i pavarur për të cilin po kërkohen sponzorë. Episodin e parë e ka prodhuar dhe financuar vetë „Presse“.

Burimi: Telegrafi