Raketa balistike “Kheibar Shekan” po shndërrohet në një nga armët kryesore të Iranit në sulmet ndaj objektivave amerikane në Lindjen e Mesme, ndërsa Teherani po përdor taktika të reja për ta bërë më të vështirë interceptimin e saj.
Sipas zyrtarëve amerikanë të cituar nga “Wall Street Journal”, forcat iraniane po kombinojnë trajektore, shpejtësi dhe manovra të ndryshme fluturimi, me synimin për të hutuar sistemet e mbrojtjes ajrore. Edhe pse shumica e raketave janë rrëzuar nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre, disa prej tyre kanë arritur t’i godasin objektivat.
Ndryshe nga raketat më të vjetra iraniane, “Kheibar Shekan” përdor karburant të ngurtë, çka mundëson transportimin dhe lëshimin e shpejtë nga mjete të lëvizshme. Kjo e vështirëson zbulimin dhe shkatërrimin e saj para lëshimit.
Ekspertët ushtarakë thonë se disa variante të raketës mund të ndryshojnë drejtimin gjatë fazës përfundimtare të fluturimit, kur i afrohen objektivit me shpejtësi rreth pesë herë më të madhe se ajo e zërit. Irani po i kombinon raketat balistike edhe me dronë sulmues dhe raketa të tjera më pak të avancuara, me qëllim që t’i mbingarkojë sistemet mbrojtëse.
Sipas zyrtarëve amerikanë, Teherani ka shënjestruar vazhdimisht zonat ku ndodhen trupat amerikane dhe radarët që mbështesin mbrojtjen ajrore në Lindjen e Mesme. Ish-komandanti i CENTCOM-it, Joseph Votel, tha se mënyra e përdorimit të raketave dëshmon se Irani po mëson nga sulmet dhe po kërkon mënyra të reja për t’i goditur objektivat.
Vlerësimet amerikane dhe izraelite sugjerojnë se Irani kishte rreth 2 mijë e 500 raketa balistike me rreze të mesme para nisjes së konfliktit, përfshirë edhe “Kheibar Shekan”. Megjithëse disa objekte prodhuese janë shkatërruar, ekspertët besojnë se Irani mund ta vazhdojë montimin e raketave duke përdorur komponentët e ruajtur në bazat nëntokësore.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
