Nëse ndiheni të lodhur që në orët e para të ditës dhe mbështeteni vazhdimisht te kafeja ose pijet energjike, shkaku mund të mos jetë vetëm mungesa e kafeinës. Lodhja e vazhdueshme mund të lidhet me mungesë gjumi, dehidrim, ushqyerje jo të balancuar, stres, anemi, probleme me gjëndrën tiroide ose çrregullime të gjumit. Sipas ekspertëve, energjia e mëngjesit nis që një natë më parë.
Një orar i rregullt i gjumit, ambienti i freskët dhe i errët, si dhe shmangia e alkoolit dhe kafeinës në orët e vona mund ta përmirësojnë ndjeshëm cilësinë e gjumit. Mjekët rekomandojnë pesë zakone të thjeshta për një mëngjes më energjik. Fillimisht, këshillohet pirja e një gote të madhe uji sapo të zgjoheni.
Gjatë natës, trupi kalon disa orë pa lëngje dhe edhe dehidratimi i lehtë mund të shkaktojë lodhje, dhimbje koke dhe vështirësi në përqendrim. Një shëtitje e shkurtër në mëngjes mund të ndihmojë gjithashtu. Drita natyrale i sinjalizon trurit se dita ka nisur, ul prodhimin e melatoninës dhe ndihmon në rregullimin e ritmit të gjumit dhe zgjimit.
Edhe disa ushtrime të lehta shtrirjeje mund ta aktivizojnë organizmin. Lëvizja rrit qarkullimin e gjakut dhe ndihmon trupin të kalojë më lehtë nga gjendja e gjumit në atë të zgjimit. Ekspertët rekomandojnë edhe një mëngjes të balancuar, me proteina, fibra, yndyrna të shëndetshme dhe lëngje.
Ushqimet e pasura me sheqer mund të japin energji të shpejtë, por shpesh pasohen nga rënie e menjëhershme e saj. Në fund, këshillohet që kafeja të mos pihet menjëherë pas zgjimit. Sipas mjekëve, është më mirë të prisni nga 30 deri në 90 minuta, në mënyrë që trupi të zgjohet natyrshëm dhe të shmanget rritja e tepërt e kortizolit.
Një gotë ujë, pak dritë natyrale, lëvizje dhe një mëngjes i mirë mund të jenë më efektive për energjinë afatgjatë sesa disa filxhanë kafeje. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
