Kurti: Kosova është më e sigurt se kurrë më parë

0%

Shpërndaje në: Garanci për sigurinë kanë dhënë përfaqësues shtetërorë në Ditën Memoriale të Zyrtarëve Policorë të rënë në krye të detyrës.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se Kosova është më e sigurt se kurrë më parë edhe për shkak se policia është më e fortë se kurrë më parë Në Ditën Memoriale të Zyrtarëve Policorë të rënë në krye të detyrës, përfaqësuesit shtetërorë kanë vlerësuar se Kosova sot është më e sigurt se kurrë më parë.

Kjo ditë përkon edhe me 15-vjetorin e rënies së heroit të Kosovës, Enver Zymberi, i cili është vrarë gjatë aksionit të Policisë së Kosovës për vendosjen e kontrollit në pikëkalimet kufitare me Serbinë. Në shenjë nderimi, fillimisht janë bërë homazhe pranë memorialit në Prishtinë. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka fajësuar Serbinë për vrasjen.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

“Dora kriminale e strukturave të Serbisë qëlloi për vdekje mbi të dhe që prej atëherë Enver Zymberin ne e kujtojmë si hero të Kosovës, si hero të shtetësisë sonë e të pavarësisë sonë, i cili po zbatonte ligjin dhe me rënien e tij frymëzoi e inspiroi shumë e shumë policë të Kosovës që ishin në detyrë, por edhe të tillë që t’i bashkohen asaj”, ka thënë Kurti.

E, ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se liria, siguria dhe sovraniteti i shtetit janë ngritur edhe mbi sakrificën e policëve. “Rënia e tyre tregon sa e rëndë mund të bëhet detyra e policit kur vihet në mbrojtje të rendit, sigurisë dhe sovranitetit të vendit.

E njëjta përgjegjësi shihet edhe në punën e përditshme të mijëra pjesëtarëve të Policisë së Kosovës dhe në besimin që qytetarët kanë krijuar ndaj saj”, ka shkruar ajo në Facebook. Vite më vonë nga vrasja e Zymberit, në veri ka rënë edhe Arim Bunjaku, në përballje në Banjskë me grupin terrorist të udhëhequr nga Milan Radoiçiq, që synonte aneksimin e veriut.

Pak pa u bërë një vit para sulmit, rreth 550 policë serbë që vepruan në veri, kanë dhënë dorëheqje, në shenjë pakënaqësie me shkarkimin e drejtorit që pati refuzuar të zbatojë vendimet për shtrirjen e autoritetit kushtetues në këtë pjesë. Kurti ka thënë se Serbia orkestroi edhe këtë, por ka shtuar se ka dështuar qëllimi për të cilin është ndërmarrë ky veprim.

“Nuk është rrënuar as shumetnia si përbërje e policisë sonë, dhe as nuk është rrënuar sovraniteti shtetëror, integriteti territorial dhe stabiliteti institucional siç kanë synuar ata. Republika e Kosovës është më e sigurt se kurrë më parë edhe për shkak se policia e Kosovës është më e fortë se kurrë më parë”, ka thënë Kurti.

Kurti dhe ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, gjatë ditës së diel kanë vizituar familjet e dy policëve të vrarë në veri, si dhe kanë bërë edhe homazhe në vendin ku ka rënë Enver Zymberi. Aty kryeministri në detyrë është zotuar që përgjegjësit do të përballen me drejtësinë.

“Për urdhërdhënësit dhe dorën kriminale që e vrau heroin e Kosovës Enver Zymeri, natyrisht që herët a vonë drejtësia do të veprojë, sepse asnjë kriminel nuk do të lejohet që të mbijetojë i pandëshkuar. Prandaj edhe prokuroria, e gjyqësia jonë, e kanë mbështetjen tonë dhe e kanë detyrën e tyre”, ka thënë ai.

Për 25 vjet, në krye të detyrës kanë rënë 25 policë, nga ta dy në veriun e banuar kryesisht me serbë, gjatë përpjekjeve për shtrirjen e autoritetit shtetëror dhe për mbrojtjen e rendit kushtetues të Kosovës.

Burimi: Koha