Një qytetar ka raportuar se gjatë mbledhjes së boronicave në Malet e Sharrit, në zonën e Ujit të Kaçanikut, afër Majës së Lubotenit, ka hasur në një mjet të dyshimtë që, sipas tij, dyshohet të jetë raketë e pashpërthyer. Qytetari Fitim Imishiti, menjëherë kanë njoftuar Policinë e Kosovës, por pasi sipas tij, është hapësirë shumë e qarkullueshme dhe përmban rrezik.
Ai thotë për KALLXO.com se patrulla policore nuk shkoi të intervenoi në vendin e ngjarjes për shkak të terrenit të papërshtatshëm për automjete. “Dje, duke u mbledhë boronicat në Malet e Sharrit, në zonën që quhet Uji i Kaçanikut, kena hasë në një mjet të dyshimtë. Fillimisht nuk e kem ditë se çfarë është, por pasi e pastruam nga dheu, pamë se është një raketë.
Menjëherë njoftuam Policinë, por na u tha se nuk mund të vinin për shkak të terrenit të papërshtatshëm”- tha ai për . Qytetari thotë ka vendosur edhe një shenjë paralajmëruese për t’i njoftuar kalimtarët, pasi zona është mjaft e frekuentuar nga mbledhësit e frutave të malit dhe blegtorët.
Lidhur me rastin, Policia e Kosovës për rajonin e Ferizajt ka konfirmuar për KALLXO.com se ka pranuar informatën. “Policia ka pranuar informatën lidhur me mjetin e dyshuar. Për shkak të terrenit të papërshtatshëm për qasje me automjete, janë njoftuar KFOR-i dhe Forca e Sigurisë së Kosovës për trajtimin e mëtejmë të rastit” – ka thënë zëdhënësi i Policisë, Kanun Veseli.
