Inter ka konfirmuar publikisht interesimin për mbrojtësin argjentinas Cristian Romero. Drejtori sportiv i zikaltërve, Piero Ausilio, pranoi se klubi po punon për transferimin e futbollistit të Tottenham. “Ka padyshim një interesim që po e shfaqim si ndaj lojtarit, ashtu edhe ndaj klubit. Janë negociata që kërkojnë kohë, por interesi ekziston.
Të shohim se si do të zhvillohen” , u shpreh Ausilio. Sipas mediave italiane, Inter ka intensifikuar kontaktet me përfaqësuesit e lojtarit dhe me Tottenhamin, pasi e ka kthyer Romeron në objektivin kryesor për repartin e mbrojtjes. Klubi zikaltër synon ta mbyllë marrëveshjen për rreth 40 milionë euro, ndërsa mbetet për t’u përcaktuar formula e transferimit.
Një nga opsionet e diskutuar është një huazim me pagesë, i shoqëruar me të drejtë ose detyrim blerjeje, megjithëse ende nuk ka sinjale nëse Tottenham do ta pranojë këtë formulë. Megjithatë, negociatat nuk pritet të jenë të lehta. Tottenham e vlerëson kartonin e Romero-s rreth 50 milionë euro, ndërsa mbrojtësi përfiton një pagë prej 6 milionë eurosh në sezon.
Inter do të duhet të përballet edhe me konkurrencën e klubeve të tjera. Sipas raportimeve nga Anglia, në garë për argjentinasin janë futur edhe Arsenal, Atletico Madrid dhe Barcelona. Romero konsiderohet profili ideal për të përforcuar mbrojtjen e Interit, pas largimit të Francesco Acerbi dhe Stefan de Vrij.
Argjentinasi e njeh mirë Serie A, pasi më parë ka luajtur me Juventusin, Genoan dhe Atalantën.
