Ish-ushtaraku Hafir Hoxha ka mbrojtur rolin e mërgatës shqiptare, duke theksuar se mërgimtarët nuk janë problemi i vendit, por një nga vlerat dhe forcat më të mëdha kombëtare. Sipas tij, ata u larguan të detyruar nga mungesa e kushteve për një jetë me dinjitet, ndërsa vazhdojnë të kontribuojnë për vendlindjen përmes remitancave, investimeve dhe mbështetjes për familjet.
Hoxha kritikon politikën dhe institucionet për dështimin në krijimin e kushteve që qytetarët të mos largohen, duke shtuar se mërgata meriton respekt dhe përfshirje në vendimmarrje, e jo fajësim apo përbuzje. Ai përfundon se është koha të ndërtohet një shtet ku askush të mos detyrohet të emigrojë për të siguruar një jetë më të mirë.
Shkrimi i plotë i Hoxhës: Mërgimtarët nuk janë problemi i kombit – ata janë vlera dhe forca e tij Sa herë që vendi ynë përballet me kriza, dështime apo mungesë zhvillimi, është bërë e lehtë që gishtat të drejtohen nga mërgimtarët.
Kjo nuk është vetëm e padrejtë, por edhe fyese ndaj qindra mijëra shqiptarëve që, të detyruar nga rrethanat, u larguan nga Shqipëria, Kosova dhe trojet e tjera shqiptare për të siguruar një jetë më të mirë. Mërgimtarët nuk u larguan sepse nuk e donin vendin e tyre. Ata u larguan sepse në vendin e tyre nuk gjetën mundësi për të jetuar me dinjitet.
U larguan për të punuar ndershëm, për të ushqyer familjet e tyre, për të edukuar fëmijët dhe për të ndërtuar një të ardhme më të sigurt. Shumë prej tyre kaluan rrugë të rrezikshme, sakrifica të mëdha dhe vite të tëra larg familjeve. Në vendet ku u vendosën, gjithçka e filluan nga zero.
Me punë, disiplinë dhe aftësi, fituan respektin e shoqërive ku jetojnë, u integruan dhe u bënë qytetarë të barabartë me vendasit. Por, pavarësisht suksesit të tyre, zemra u ka mbetur në vendlindje. Ata vazhdojnë ta vizitojnë atdheun, ndërtojnë shtëpi, ndihmojnë familjarët, investojnë në ekonomi dhe kontribuojnë me miliarda euro çdo vit përmes remitancave.
Ata nuk e kanë harruar kurrë vendin e tyre dhe shumica ende ëndërrojnë të kthehen një ditë. Prandaj, mërgimtarët nuk janë problemi i Kosovës, i Shqipërisë apo i trojeve shqiptare. Problemi është diku tjetër. Problemi qëndron te politika, te institucionet dhe te mënyra se si është qeverisur vendi për dekada.
Problemi është te ata që kanë pasur përgjegjësinë të ndërtojnë një shtet ku qytetarët të mos detyrohen të largohen. Te ata që kanë gëzuar paga të mira, privilegje dhe pushtet, ndërsa mijëra të rinj kanë marrë rrugën e mërgimit.
Mërgimtari ka parë me sytë e tij se si funksionon një shtet ligjor, si respektohet qytetari, si luftohet korrupsioni, si ndërtohen institucione të forta dhe si krijohen mundësi për të gjithë. Pikërisht për këtë arsye ai kërkon që edhe vendi i tij të ketë të njëjtat standarde. Kjo nuk është tradhti. Kjo është dashuri për atdheun.
Fatkeqësisht, në vend që të dëgjohet zëri i mërgatës, shpesh ajo fyhet, etiketohet dhe përçmohet. Disa politikanë e shohin mërgimtarin si kërcënim, sepse ai krahason, kërkon llogari dhe nuk pranon më justifikime. Në vend të fyerjeve, politika duhet të pyesë veten: Pse vazhdojnë të largohen të rinjtë? Pse nuk krijohen kushte për kthimin e mërgimtarëve?
Pse njerëzit nuk e shohin të ardhmen në vendin e tyre? Një shtet i suksesshëm nuk matet me numrin e njerëzve që largohen, por me numrin e atyre që dëshirojnë të jetojnë dhe të kthehen në të. Mërgata shqiptare nuk është barrë. Ajo është pasuria më e madhe njerëzore, ekonomike dhe kombëtare që kemi. Ajo meriton respekt, mirënjohje dhe përfshirje në vendimmarrje, jo përbuzje e përçarje.
Është koha që politika të ndalojë së fajësuari mërgimtarët dhe të fillojë të ndërtojë një shtet ku askush të mos detyrohet të largohet për të jetuar me dinjitet. Mërgimtarët nuk e braktisën atdheun. Ata u detyruan të largohen prej tij. Dhe, pavarësisht gjithçkaje, ata vazhdojnë ta mbajnë gjallë me punën, djersën, kontributin dhe dashurinë e tyre.
