Federico Chiesa iniston se dëshiron të qëndrojë te Liverpooli

0%

Federico Chiesa ka bërë të qartë se dëshiron të qëndrojë te Liverpooli dhe të luftojë për një vend në formacion nën drejtimin e trajnerit të ri, Andoni Iraola. Pavarësisht spekulimeve që e lidhin me një rikthim në Serie A pas dy sezoneve të vështira në “Anfield”, reprezentuesi italian mbetet plotësisht i përkushtuar ndaj klubit anglez dhe dëshiron të nisë një kapitull të ri.

Chiesa synon të fitojë një rol më të rëndësishëm te Liverpooli, pasi gjatë dy sezoneve nën drejtimin e Arne Slot ishte titullar vetëm në nëntë ndeshje në të gjitha garat. 26-vjeçari, i cili iu bashkua Liverpoolit nga Juventusi në gusht të vitit 2024 për 12.5 milionë funte, ka qenë objekt i shumë spekulimeve për një largim, por ai i hodhi poshtë këto zëra pas fitores 4-2 në miqësoren ndaj Sunderlandit të shtunën.

Italiani beson se ardhja e Iraolës është mundësia ideale për ta ringjallur karrierën e tij në Angli. “Për momentin jam i lumtur këtu te Liverpooli,” u tha Chiesa gazetarëve. “E dua klubin, i dua tifozët, e dua gjithçka. Po bëj maksimumin që të kem një shans këtu dhe pastaj do të shohim. Tani për tani, e vetmja gjë për të cilën mendoj është Liverpooli”, tha ai.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Edhe pse ende nuk ka zhvilluar biseda të gjata me Iraolën për të ardhmen e tij apo rolin në skuadër, të dy kanë diskutuar për qasjen taktike që trajneri dëshiron të zbatojë këtë sezon. Në ndeshjen ndaj Sunderlandit, Iraola e aktivizoi Chiesan si sulmues qendror dhe jo në krah, pozicioni ku ai ka luajtur gjatë pjesës më të madhe të karrierës.

Ky ndryshim është pjesë e filozofisë së trajnerit spanjoll, e cila bazohet në intensitet të lartë, presion të vazhdueshëm dhe duele një kundër një në të gjithë fushën. “Bisedat e vetme që kam pasur me trajnerin kanë qenë për presingun dhe taktikën,” shpjegoi Chiesa. “Sot më vendosi si sulmues qendror.

Gjatë gjithë karrierës sime kam luajtur si anësor, por jam i lumtur të luaj edhe si sulmues. Kemi dy javë që stërvitemi me trajnerin e ri dhe kemi parë qartë se çfarë kërkon ai. Dëshiron intensitet të lartë dhe duele një kundër një në të gjithë fushën.

Pikërisht këtë u përpoqëm të tregonim sot.” Duke folur për sezonin e ri, Chiesa theksoi se dëshiron ta ndihmojë Liverpoolin të zhvillojë një edicion shumë më të mirë, si në Premier League ashtu edhe në Ligën e Kampionëve, pasi sezonin e kaluar skuadra siguroi me vështirësi kualifikimin në Champions League duke përfunduar në vendin e pestë.

Italiani beson se skuadra ka cilësinë dhe thellësinë e nevojshme për të luftuar sërish për trofetë më të rëndësishëm, ndërsa synimi i tij personal është të rikthehet në formën më të mirë fizike dhe të fitojë sërish një vend në Kombëtaren e Italisë. “Liverpooli meriton më shumë,” deklaroi Chiesa. “Dy sezone më parë ishim kampionë të Premier League.

Sezonin e kaluar pothuajse mbetëm jashtë vendeve që të dërgojnë në Ligën e Kampionëve. Luftuam për vendin e pestë, që në fund ishte i mjaftueshëm, por normalisht kualifikohen vetëm katër skuadra. Patëm fat. Ishte një sezon i vështirë dhe këtë sezon duhet të bëjmë më mirë edhe në Ligën e Kampionëve. Besoj se kemi skuadrën e duhur për ta arritur këtë”.

Burimi: Bota Sot