Një euro u këmbye këtë javë me vetëm 93.62 lekë – niveli më i ulët historik kundrejt monedhës shqiptare. Në teori, një lek më i fortë do të duhej t’i bënte më të lira mallrat e importuara, t’i ulte kostot për bizneset dhe të rriste fuqinë blerëse të qytetarëve. Por, në Shqipëri ndodh e kundërta.
Çmimet e ushqimeve vazhdojnë të mbeten ndër më të lartat në rajon, eksportuesit ankohen se po humbasin konkurrueshmërinë, ndërsa ekonomistët vënë në pikëpyetje nëse shpjegimet zyrtare mjaftojnë për të kuptuar pse leku është forcuar aq shumë. Debati është shndërruar në një përplasje mes Qeverisë, opozitës dhe ekspertëve të ekonomisë.
Qeveria argumenton se forcimi i lekut është rezultat i hyrjes së sasive të mëdha të valutës në ekonomi, të nxitura nga turizmi, investimet e huaja dhe remitencat. Opozita, në anën tjetër, pretendon se kursi i këmbimit ndikohet edhe nga ekonomia joformale dhe pastrimi i parave.
Ndërsa, një pjesë e ekonomistëve thonë se të dhënat zyrtare nuk e shpjegojnë plotësisht këtë fenomen dhe kërkojnë një analizë më të thellë të burimeve të valutës që hyn në vend. Për kryeministrin Edi Rama, nuk është euroja ajo që është dobësuar, por leku që është forcuar. “Forcimi i lekut është sukses për ekonominë shqiptare.
Është tregues kokëfortë i rritjes së ekonomisë”, deklaroi ai ditëve të fundit, duke e lidhur këtë zhvillim kryesisht me rritjen e të ardhurave nga turizmi. Shifrat zyrtare e mbështesin këtë argument. Sipas Bankës së Shqipërisë, vizitorët e huaj shpenzuan rreth 5.7 miliardë euro në Shqipëri gjatë vitit 2025 – rreth 15 për qind më shumë se një vit më parë.
Ministria e Financave e Shqipërisë raportoi, gjithashtu, 1.6 miliard euro investime të huaja direkte dhe mbi 2 miliardë euro remitenca, të cilat, sipas Qeverisë, kanë rritur ndjeshëm ofertën e euros në treg dhe kanë çuar në forcimin e lekut.
Por, opozita thotë se një monedhë më e fortë është domosdoshmërisht shenjë e një ekonomie më të fortë, duke argumentuar se ky zhvillim nuk është shoqëruar me rritje të prodhimit, produktivitetit apo eksporteve. Sipas saj, forcimi i lekut nuk reflekton gjendjen reale të ekonomisë shqiptare. A mjaftojnë turizmi, investimet dhe remitencat për ta shpjeguar? Për Qeverinë, përgjigjja është po.
Kryeministri Rama hedh poshtë pretendimet se pas forcimit të lekut fshihen kryesisht para me origjinë të dyshimtë. Sipas tij, hyrja e madhe e valutës në ekonomi është rezultat i zhvillimeve të ligjshme, mbi të gjitha i bumit të turizmit.
“Diskutojmë që këtu ka një lavatriçe parash të pista, por kush do të na linte ne të vazhdonim të mbyllnim kapitujt me Bashkimin Evropian?” , tha Rama, duke shtuar se zbulimi i rasteve të pastrimit të parave tregon forcimin e institucioneve dhe jo se Shqipëria është një “narkoshtet”. Opozita e sheh ndryshe situatën.
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, pretendon se mbiçmimi i lekut nuk mund të shpjegohet vetëm me turizmin apo investimet, por lidhet edhe me hyrjen e parave nga aktivitetet kriminale.
Edhe pse nuk paraqet prova konkrete për këtë pretendim, ai argumenton se flukset e mëdha të euros kanë ndikuar në kursin e këmbimit, pa sjellë përmirësim të mirëqenies së qytetarëve apo të ekonomisë prodhuese. Debati nuk është i ri. Prej vitesh, ekonomia joformale dhe rreziku i pastrimit të parave kanë qenë pjesë e diskutimeve për ekonominë shqiptare.
Raporti i fundit i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) tregon se vetëm gjatë vitit 2025 janë sekuestruar dhe konfiskuar rreth 45.4 milionë euro pasuri, ndërsa sektori i ndërtimit dhe pasuritë e paluajtshme identifikohen si ndër fushat me ekspozimin më të lartë ndaj pastrimit të parave.
Megjithatë, vetë këto të dhëna nuk provojnë se kursi i këmbimit është ndikuar nga aktivitetet kriminale. Pikërisht për këtë arsye, disa ekonomistë argumentojnë se debati nuk duhet të mbështetet vetëm te deklaratat politike, por tek analiza e treguesve ekonomikë.
Sipas tyre, pyetja kryesore nuk është nëse turizmi ka sjellë më shumë euro në Shqipëri – kjo është e padiskutueshme – por nëse kjo mjafton për të shpjeguar një forcim kaq të madh të lekut.
Ekonomistët: Shifrat nuk e shpjegojnë plotësisht forcimin e lekut Irena Beqiraj, ish-zëvendësministre e Financave e Shqipërisë, argumenton se analiza e Qeverisë mbështetet vetëm te paratë që hyjnë në vend, por nuk merr parasysh edhe ato që dalin.
Sipas saj, nga rreth 5.7 miliardë euro të ardhura nga turizmi gjatë vitit 2025 duhet të zbriten rreth 3.06 miliardë euro që shqiptarët shpenzuan jashtë vendit. Edhe tek investimet e huaja, ajo sheh një dallim të rëndësishëm. Një pjesë e madhe e tyre, thotë Beqiraj, nuk paraqet kapital të ri që ka hyrë në Shqipëri, por fitime që kompanitë e huaja kanë zgjedhur t’i riinvestojnë në vend.
Ndërsa remitencat, sipas saj, janë rritur, por jo në nivele që do të shpjegonin një ndryshim kaq të madh të kursit të këmbimit. “Për mua, 25 deri në 40 për qind e mbiçmimit të lekut mbetet e pashpjeguar nga turizmi, investimet e huaja dhe remitencat”, thotë Beqiraj. Qëndrim të ngjashëm ka edhe ekonomisti Pano Soko.
Ai argumenton se, nëse forcimi i lekut do të ishte rezultat i ekonomisë reale, kjo do të reflektohej para së gjithash te bilanci tregtar. “… por, të dhënat tregojnë se bilanci është në deficit dhe diferenca mbetet thuajse e njëjtë që prej vitit 2013, kur euroja këmbehej me 140 lekë.
Nëse ky raport mes importit dhe eksportit nuk ka ndryshuar, edhe kursi i këmbimit do të mbetej i njëjtë”, thotë Soko për Radion Evropa e Lirë. Sipas tij, as investimet e huaja nuk e shpjegojnë këtë zhvillim. “Nëse do të shihnim vetëm këtë tregues, euroja madje do të duhej të ishte forcuar, sepse investimet e huaja nga viti 2015 deri më sot kanë rënë”, thotë ai.
Atëherë, nga vjen pjesa tjetër e valutës që ushtron presion mbi kursin e këmbimit? Beqiraj thotë se të dhënat zyrtare të ekonomisë nuk e shpjegojnë plotësisht forcimin e lekut dhe se kjo mund të nënkuptojë ekzistencën e flukseve të tjera valutore që nuk pasqyrohen në statistikat zyrtare.
Soko shkon një hap më tej, duke argumentuar se ekonomia joformale dhe paratë me origjinë kriminale kanë një ndikim të rëndësishëm në tregun valutor, pasi për kursin e këmbimit rëndësi ka sasia e euros që hyn në qarkullim, pavarësisht burimit të saj. Leku forcohet, por pse nuk ndihet në xhepin e qytetarëve?
Në teori, një monedhë më e fortë duhet të sjellë përfitime të prekshme për ekonominë. Importet bëhen më të lira, kostot e bizneseve ulen dhe kjo, me kalimin e kohës, duhet të reflektohet edhe në çmimet që paguajnë konsumatorët. Por, ekonomistët thonë se kjo nuk ka ndodhur në Shqipëri.
Një studim i fundit mbi çmimet tregon se në vitin 2024 çmimet e ushqimeve dhe pijeve joalkoolike në Shqipëri arritën në 100 për qind të mesatares së Bashkimit Evropian, nga 68 për qind sa ishin në vitin 2012.
Sipas autorëve të studimit, Shqipëria ka regjistruar rritjen më të madhe të çmimeve të ushqimeve në rajon, ndonëse të ardhurat e familjeve shqiptare mbeten shumë më të ulëta se në vendet e BE-së. Azmi Stringa, një nga autorët e studimit, thotë se forcimi i lekut nuk është përkthyer në ulje çmimesh për konsumatorët.
“Një lek më i fortë duhej të sillte përfitime për qytetarët dhe ekonominë prodhuese, por kjo nuk ka ndodhur”, thotë Stringa për Radion Evropa e Lirë. Ai shton se problemet strukturore të ekonomisë shqiptare, si konkurrenca e dobët, mungesa e transparencës në treg dhe mbikëqyrja e kufizuar, kanë penguar që efekti pozitiv i kursit të këmbimit të arrijë te konsumatori.
Edhe Beqiraj i referohet të njëjtit studim për të ilustruar paradoksin. Sipas saj, çmimet e ushqimeve në Shqipëri janë tashmë të krahasueshme, madje në disa raste edhe më të larta se në vende si Holanda apo Spanja, megjithëse këto vende kanë të ardhura dhe nivel jetese dukshëm më të lartë.
“Rezultatet e studimit tregojnë se çmimet e ushqimeve në Shqipëri janë rritur më herët, më shpejt dhe në mënyrë më frekuente se në vendet e rajonit, edhe pse leku është vlerësuar me rreth 30% gjatë dekadës së fundit” , thotë Beqiraj. Ndërkohë, një lek më i fortë nuk prek të gjithë njësoj.
Ekonomistët thonë se ndër më të goditurit janë eksportuesit, të cilët të ardhurat i sigurojnë në euro, ndërsa pagat, energjinë, qiratë dhe shumicën e kostove i paguajnë në lekë. Me zhvlerësimin e euros, fitimet e tyre tkurren dhe produktet shqiptare bëhen më pak konkurruese në tregjet ndërkombëtare. Sipas Sokos, të njëjtin presion e ndien edhe sektori i turizmit.
“Turizmi i bën ofertat në euro dhe me rënien e saj do të detyrohet ta rrisë çmimin. Por, një çmim më i lartë nuk e bën atë konkurrues me vende të tjera. Nëse kjo rënie e euros vijon, shumë operatorë turistikë do të detyrohen të dalin nga tregu” , thotë Soko. Përfitues, nga ana tjetër, janë ata që blejnë mallra jashtë vendit ose kanë detyrime financiare në euro.
Bizneset importuese paguajnë më pak për produktet që sjellin nga jashtë, ndërsa qytetarët që kanë kredi në euro i shlyejnë ato me më pak lekë se disa vite më parë. Edhe shteti përfiton, pasi një pjesë e borxhit publik është marrë në euro dhe sot shlyhet me një kurs këmbimi më të favorshëm. / REL
