Zendaya tërhoqi vëmendjen në premierën e filmit “Spider-Man: Brand New Day”, e mbajtur në Shangai, ku u shfaq me një stil të ri flokësh të frymëzuar nga Kleopatra. Aktorja 29-vjeçare debutoi me flokë të gjatë, të drejtë dhe me balluke të shkurtra, të kombinuara me një grim të theksuar në sy, duke kompletuar pamjen e saj elegante.
Për këtë event, Zendaya zgjodhi një fustan me detaje në formë rrjete, të zbukuruar me elemente të zeza dhe të bardha, si dhe një broshë argjendi në pjesën e belit. Pamjen e kompletoi me taka të bardha, një orë me diamante dhe vathë elegantë, shkruan DailyMail.
Në tapetin e kuq ajo u shoqërua nga bashkëshorti i saj, Tom Holland, i cili u paraqit me një kostum ngjyrë kafe me xhaketë dopiopet dhe kravatë të kuqe. Dyshja u ngjitën gjithashtu në skenë për të prezantuar filmin dhe për të zbuluar posterin zyrtar të “Spider-Man: Brand New Day”, i cili pritet të nisë shfaqjen në kinema më 31 korrik.
Premiera vjen në një periudhë të suksesshme për çiftin, pasi filmi i tyre i fundit, “The Odyssey”, ka shënuar rezultate të forta në arkën filmike, duke grumbulluar mbi 303 milionë dollarë (258 milionë euro) në nivel global vetëm pak ditë pas daljes në kinema.
Ndërkohë, pritshmëritë janë të larta edhe për “Spider-Man: Brand New Day”, i cili sipas raportimeve po regjistron shifra rekord në para-shitjen e biletave.
Së fundmi, Zendaya riktheu edhe nostalgjinë e fansave duke ripostuar në Instagram një seri fotografish të publikuara nga Sony Pictures, ku ajo dhe Tom Holland rikrijojnë poza nga turneu i tyre i parë promovues për “Spider-Man: Homecoming” në vitin 2016.
Dhjetë vjet pas takimit të tyre në xhirimet e atij filmi, Zendaya dhe Tom Holland janë tashmë të martuar dhe vijojnë bashkëpunimin në kapitullin më të ri të sagës së Spider-Man.
