Shkencëtarët që në vitin 2020 hodhën poshtë publikisht teorinë se Covid-19 mund të ketë rrjedhur nga një laborator, pranuan në biseda private se kjo mundësi “nuk mund të përjashtohej”, sipas mesazheve të publikuara së fundmi nga senatori amerikan Rand Paul, raporton The Telegraph .
Mesazhet tregojnë se disa prej autorëve të studimit të njohur “The Proximal Origins of Covid” , të botuar në revistën Nature Medicine , kishin dyshime se Instituti i Virologjisë në Wuhan mund të kishte lidhje me origjinën e virusit, ndonëse publikisht e cilësuan një skenar të tillë si të pabesueshëm.
Profesori Kristian Andersen shkroi në një bisedë në Slack se nuk kishte prova të forta në asnjërin drejtim dhe se mundësia e një rrjedhjeje nga laboratori nuk mund të përjashtohej. Ai pranoi gjithashtu se studimi ishte “shumë i prerë” në përfundimet e tij dhe se më vonë kishte më pak besim në ato deklarata.
Sipas mesazheve, disa autorë vlerësonin se mundësia e një rrjedhjeje laboratorike ishte mes 10 dhe 30 për qind, ndërsa diskutonin edhe mbi eksperimentet me koronaviruset që zhvilloheshin në Institutin e Virologjisë në Wuhan.
Dokumentet zbulojnë gjithashtu se disa shkencëtarë ishin të shqetësuar për projektet e propozuara për modifikimin e koronaviruseve dhe pranonin se shumica e kolegëve të tyre nuk e përjashtonin teorinë e rrjedhjes nga laboratori, ndryshe nga sa thuhej publikisht.
Senatori Rand Paul akuzoi autorët e studimit se privatisht shprehnin dyshime për përfundimet e tyre, ndërsa publikisht sulmonin dhe diskreditonin ata që ngrinin pyetje mbi origjinën e virusit. The Telegraph raporton se ka kontaktuar shkencëtarët e përmendur për koment, por deri më tani ata nuk kanë reaguar. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
