Komuna e Prishtinës ka liruar disa banesa dhe prona komunale që po shfrytëzoheshin pa të drejtë, pasi iu kishte skaduar kontrata ose edhe kur familja nuk kishte më nevojë për ndihmë sociale. Deri më tash, janë liruar shtatë banesa komunale dhe të njëjtat do të destinohen për familjet që kanë nevojë për strehim social. Brenda një banese komunale strehohej një çift i moshuar.
Pas vdekjes së tyre, familjarët nuk e njoftuan komunën për ndryshimin e rrethanave dhe vazhduan ta shfrytëzojnë banesën, pa të drejtë ligjore. Megjithatë, rasti nuk mbeti i pazbuluar. Pas verifikimeve nga zyrtarët komunalë, prona u lirua dhe u kthye nën administrim të komunës.
Ky nuk është rasti i vetëm, pasi për këtë çështje Drejtoria e Pronës në Prishtinë ka nisur aksion për lirimin e pronave që po shfrytëzohen në kundërshtim me ligjin.
“Kësaj çështje i takon edhe lirimit të banesave komunale, të cilat kanë qenë të shfrytëzuara fillimisht me kontratë, të cilave iu ka dalë afati, e edhe kontrata që kanë qenë më kritere sociale, dhe ato kritere këto familje më nuk i plotësojnë.
Aksioni i fundit janë liru pesë familje, ka disa që kanë qëndru disa vite, dhe më herët janë liru dy, në proces të lirimit janë edhe shtatë të tjera”, ka thënë Brahim Mehmetaj, drejtor i Pronës në Prishtinë. Drejtori i Pronës, Brahim Mehmetaj, thotë se kthimi i pronave në administrim komunal nuk ka kaluar pa kundërshtime.
“I kemi thirr si palë, kemi hasë në kundërshtim mirëpo jo të argumentum. E fundit ka qenë ajo që kemi marrë veprime arbitrare që i kemi blloku dyert dhe i kemi liru pronat”, ka thënë Brahim Mehmetaj, drejtor i Pronës në Prishtinë. Nga drejtoria e Pronës kanë bërë të ditur se banesat dhe pronat e liruara do t’u vihen në dispozicion familjeve që kanë nevojë për strehim social.
Në lidhje me numrin e familjeve që kanë bërë kërkesë të tillë në komunë, Televizioni Dukagjini ka dërguar pyetje në adresë të drejtorisë për Mirëqenie Sociale, por të hënën nuk ka pranuar përgjigje
