Pamjet ku policët goditen nga makinat në disa raste kanë shqetësuar publikun. Por në të dhënat e policisë nuk konfirmohet se ka ndonjë ndryshim të procedurave. Zyrtari policor Gani Sahitaj mori lëndime trupore derisa ishte në punë gjatë realizimit të një pike kontrolli.
Nga pamjet shihet se një kamion ishte i ndalur, dhe mbrapa kamionit zyrtari policor del për ta ndalë një veturë tjetër e kjo veturë pasi kishte ndalur shpejtësinë goditet nga një automjet i KFOR-it i cili ishte në lëvizje në ato momente. Ky rast ka shkaktuar pasoja direkt në trupin dhe shëndetin e zyrtarit policor Gani Sahitaj.
KALLXO.com ka kontaktuar me zyrtarin policor Gani Sahitaj, i cili ka treguar se ka qenë për shërim në Turqi dhe shpenzimet për protezën e këmbës i ka paguar me paratë e tij, por që ka marrë premtime se diçka do i kompensohet. Deri më tani dora e shtetit nuk ka arritur tek zyrtari policor, i njëjti është dashur të gjejë një avokat për ta shtyrë përpara çështjen e tij.
“Mirë zotit shyqyr njëherë mirë, mirë, po shkon kah përmirësimi unë e kam ngjit një protezë qatje, jam kanë në Turqi e kam ngjit një protezë shyqyr zotit kapak njëherë është edhe fillimi besoj që përmirësohet jam në përmirësim për ditë kapak-kapak edhe me këqyr çka është ka bohet me mua në çfarë drejtimi po shkoj. Për momentin i kam pagu vetë komplet, m`kanë premtu që të kompensojmë.
Me italianët, unë e kam angazhuar avokatin tim edhe me kërkuan që nja dy javë ditë më kanë thanë me caktu një datë për me ardhë me të vizitu këtu, po hala nuk ka të re as në atë drejtim”- thotë Sahitaj.
Hetimi për këtë rast se si erdhi deri tek aksidenti nuk do zhvillohet në Kosovë për shkak të përfshirjes së një automjeti të KFOR-it pasi ata kanë imunitet në Kosovë dhe hetimet për ta zhvillohen në vendet prej nga vijnë. Në Prokurorinë e Pejës tregojnë për ecurinë fillestare të procedurës penale të këtij rasti.
“Lidhur me këtë rast ku një zyrtar policor ka pësuar lëndime të rënda trupore ku për fat të keq ka humbur edhe këmbën si pasoj e tentimit për ta ndaluar një veturë e cila edhe ajo ka qenë veturë zyrtare e KFOR-it.
Njësitet relevante policore kanë dal në vendin e ngjarjes gjithashtu edhe prokurori i shtetit mirëpo për shkak te imunitetit që kanë zyrtarët e KFOR-it në Kosovë kemi qenë të kufizuar në ndërmarrjen e veprime ligjore, mirëpo kemi pasur koordinim të ngushtë me zyrtarët e KFOR-it dhe si çështje penale kjo do të transferohet për t`u hetuar dhe për t`u trajtuar në shtetin përkatës, përkatësisht në Republikën e Italisë”- thotë Shkodran Nikçi nga Prokuroria e Pejës.
Një përgjigje rreth procedurës së këtij rasti është kërkuar edhe nga KFOR-i në Kosovë, por ata nuk kanë kthyer përgjigje deri në ditën e publikimit të këtij materiali.