Alejandro Arias Monge, i njohur me nofkën “El Diablo”, është arrestuar gjatë një operacioni të gjerë policor në Rio Frio, rreth 90 kilometra në verilindje të kryeqytetit të Kosta Rikës, San José. Për kapjen e tij, autoritetet amerikane kishin ofruar një shpërblim prej 500 mijë dollarësh, ndërsa ai konsiderohej një nga bosët më të rrezikshëm të trafikut të drogës në rajon.
Sipas autoriteteve, Arias dyshohet se drejtonte një organizatë të dhunshme kriminale ndërkombëtare dhe kërkohej për disa vepra të rënda penale, përfshirë trafikimin e drogës, vrasje, grabitje dhe pastrim parash. Prokurori i Përgjithshëm i Kosta Rikës ka bërë të ditur se ekstradimi i tij do të shqyrtohet në rast se Shtetet e Bashkuara paraqesin një kërkesë zyrtare.
Operacioni për arrestimin e tij u shoqërua me një shkëmbim zjarri që zgjati rreth 45 minuta. Gjatë aksionit, një person i dyshuar si pjesëtar i grupit kriminal u vra, ndërsa tetë policë mbetën të plagosur. Policia arrestoi edhe dy persona të tjerë, mes tyre një tjetër figurë të kërkuar të botës së krimit.
Autoritetet kanë bërë të ditur se në objektin ku u zhvillua aksioni ndodheshin tre personat më të kërkuar në vend. Grupet kriminale të lidhura me ta dyshohet se janë përgjegjëse për rreth 360 vrasje, afro 200 prej të cilave lidhen me organizatën e drejtuar nga Arias.
Gjatë bastisjes, policia sekuestroi armë automatike, pistoleta dhe dronë, të cilët dyshohet se përdoreshin për të monitoruar lëvizjet e forcave të rendit. Hetuesit dyshojnë se Arias kishte qëndruar i fshehur për një periudhë në Nikaragua. Ai ishte në arrati për më shumë se dhjetë vjet, pasi kishte shmangur gjykimin për një akuzë për vrasje. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!