Autori i dyshuar i krimit të rëndë në fshatin Vidhisht të Roskovecit, 35-vjeçari Refit Buzi, i cili vijon t’i shmanget policisë, ka pretenduar se humbja e një shume të madhe parash ka qenë shkaku i konfliktit me familjen e ish-partneres së tij. Sipas burimeve, autori është shfaqur duke qarë dhe ka akuzuar familjarët e së resë se i kanë marrë kursimet që kishte fituar gjatë emigrimit.
Ndërkoha zona vijon të jetë e rrethuar me forca të shumta policie përfshirë edhe ato të RENEA-s. “Ata ma kanë bërë, më kanë marrë 730 mijë paund”, raportohet të jetë shprehur ai. Ngjarja e rëndë ndodhi në orët e para të mëngjesit të së premtes në fshatin Vidhisht, ku 35-vjeçari shkoi i armatosur në banesën e familjes së ish-partneres.
Ai qëlloi me armë gjahu ndaj prindërve të saj, duke i marrë jetën 55-vjeçarit Arben Plaka dhe duke plagosur bashkëshorten e tij, Belere Plaka. Menjëherë pas krimit, autori rrëmbeu ish-partneren dhe u largua me automjet. Pas disa orësh kërkime dhe rrethimit të zonës nga forcat speciale RENEA, 24-vjeçarja u la e lirë, ndërsa autori u largua dhe vijon të jetë në arrati.
Më herët gjatë ditës, familjarët e viktimës deklaruan se krimi kishte qenë i paralajmëruar, duke pretenduar se 35-vjeçari kishte kërcënuar vazhdimisht ish-partneren dhe familjen e saj. Ndërkohë, operacioni për kapjen e tij vazhdon.
Forca të shumta të Policisë së Shtetit, efektivë të Forcës së Posaçme Operacionale, RENEA-s, FNSH-së dhe Drejtorisë Vendore të Policisë Fier kanë përqendruar kontrollet në fshatin Çerven, në kufi me Mallakastrën, pranë fshatit Drenie.
