Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj ndodhet sot përballë një momenti të rëndësishëm reflektimi institucional. Debati për të ardhmen e tij nuk duhet të trajtohet vetëm si çështje administrative apo financiare, por si një çështje më e gjerë që lidhet me cilësinë e arsimit të lartë, qeverisjen universitare dhe përgjegjësinë e institucioneve publike ndaj shoqërisë.
Në një kohë kur po diskutohet për mundësinë e dobësimit apo mbylljes së këtij universiteti, duhet të shtrohet një pyetje themelore, a është mbyllja zgjidhja e problemeve të krijuara ndër vite, apo nevojitet një reformë e thellë institucionale?
Në vlerësimin tim, universitetet nuk duhet të mbyllen për shkak të problemeve të menaxhimit, ato duhet të reformohen, të modernizohen dhe të rikthehen në funksion të misionit të tyre akademik. E them këtë jo vetëm si profesor dhe studiues, por edhe si një person që kam ndjekur me vëmendje zhvillimet në këtë institucion dhe ka pasur përvojë të drejtpërdrejtë me proceset akademike të tij.
Për vite me radhë kam ngritur shqetësime lidhur me mënyrën e menaxhimit, transparencën institucionale dhe respektimin e parimeve të meritokracisë akademike. Sipas bindjes sime, një nga problemet kryesore të këtij universiteti ka qenë modeli i qeverisjes së ndërtuar ndër vite. Një institucion i arsimit të lartë kërkon qarkullim të ideve, hapje institucionale dhe përgjegjësi të vazhdueshme.
Qëndrimi i gjatë i të njëjtave struktura drejtuese në krye të një institucioni publik mund të krijojë rrezikun e përqendrimit të vendimmarrjes dhe dobësimit të mekanizmave të kontrollit dhe llogaridhënies. Po ashtu, një shqetësim i vazhdueshëm ka qenë perceptimi se politika ka pasur ndikim në funksionimin e këtij institucioni.
Universitetet publike duhet të jenë hapësira të lirisë akademike, ku kriteret shkencore, profesionalizmi dhe integriteti duhet të jenë baza e çdo vendimmarrjeje. Një universitet i qëndrueshëm ndërtohet mbi dije dhe meritë, jo mbi ndikime jashtë fushës akademike. Përvoja ime personale është pjesë e këtij reflektimi. Kam konkurruar disa herë për pozita akademike në këtë universitet.
Në vlerësimin tim, kam plotësuar kriteret akademike dhe profesionale dhe kam pasur një profil shkencor konkurrues, të mbështetur në publikime, angazhime universitare dhe përvojë akademike. Megjithatë, nuk jam përzgjedhur. Kjo përvojë më ka bërë të ngre pyetje dhe shqetësime lidhur me transparencën, barazinë e mundësive dhe zbatimin e meritokracisë në proceset e punësimit akademik.
Kritika ime ndaj mënyrës së menaxhimit të universitetit nuk është kritikë ndaj vetë institucionit. Përkundrazi, kjo buron nga bindja se Universiteti i Ferizajit ka potencial të rëndësishëm dhe duhet të forcohet. Një universitet publik nuk është pronë e individëve, strukturave drejtuese apo interesave të përkohshme, por është pasuri e qytetarëve dhe investim për brezat e ardhshëm.
Ferizaj është një nga qytetet më dinamike të Kosovës, me zhvillim ekonomik, industrial dhe shoqëror. Një universitet i orientuar drejt shkencave të aplikuara ka një rol të rëndësishëm në përgatitjen e kuadrove profesionale, në lidhjen e arsimit me tregun e punës dhe në zhvillimin e inovacionit.
Për këtë arsye, dobësimi i tij do të ishte një humbje jo vetëm për Ferizajn, por edhe për gjithë Kosovën. Në vend të mbylljes, nevojitet një reformë serioze dhe gjithëpërfshirëse.
Kjo reformë duhet të përfshijë forcimin e autonomisë akademike, depolitizimin e vendimmarrjes, transparencën në konkurset akademike, vlerësimin real të performancës shkencore, avancimin e kërkimit dhe krijimin e bashkëpunimeve me universitete ndërkombëtare. Çdo universitet publik duhet të jetë vendi ku vlerësohen dija, puna dhe rezultatet.
Studentët duhet të kenë besim se institucioni ku studiojnë funksionon mbi standarde profesionale, ndërsa profesorët duhet të ndihen të vlerësuar mbi bazën e kontributit të tyre akademik. Prandaj, Universiteti i Ferizajit ndodhet në një udhëkryq.
Njëra rrugë është dobësimi dhe humbja e një institucioni public, rruga tjetër është reforma, modernizimi dhe rikthimi i tij në shërbim të dijes dhe zhvillimit. Zgjedhja duhet të bëhet mbi bazën e interesit publik, jo të interesave të ngushta politike apo institucionale. Kosova ka nevojë për universitete më të forta, më transparente dhe më profesionale.
Universitetet nuk janë vetëm ndërtesa dhe administrata, por janë qendra të dijes dhe themeli mbi të cilin ndërtohet e ardhmja e një shoqërie.
