Tadej Pogaçar vazhdon të dominojë ‘Tour de France 2026’. Çiklisti slloven fitoi edhe etapën e 19-të, duke triumfuar për herë të pestë në këtë edicion dhe njëkohësisht duke vendosur një rekord të ri në ngjitjen ikonike të Alpe d’Huez, ku theu kohën historike të italianit Marco Pantani.
Kampioni i botës sulmoi që në fillim të ngjitjes finale dhe me një ritëm të jashtëzakonshëm arriti grupin e çiklistëve të shkëputur. Fillimisht kaloi Sepp Kuss, më pas Lenny Martinez dhe Richard Carapaz, të cilët i la pas rreth 900 metra para vijës së finishit.
Pogaçar e përfundoi ngjitjen për 35 minuta e 29 sekonda, duke përmirësuar rekordin e Pantanit prej 36 minutash e 50 sekondash, të vendosur në vitin 1995. Kjo ishte një ditë historike për sllovenin, i cili për herë të parë fitoi në Alpe d’Huez, një prej maleve më të famshme në historinë e ‘Tour de France’.
Ngjitja legjendare u përfshi për herë të parë në garë në vitin 1952, kur triumfoi Fausto Coppi, që më pas e ruajti fanellën e verdhë deri në Paris. Në renditjen e përgjithshme, Pogaçar tashmë ka një epërsi të madhe. Remco Evenepoel humbi edhe 2 minuta e 29 sekonda në këtë etapë dhe tani ndodhet 7 minuta e 11 sekonda prapa liderit.
Megjithatë, ai hodhi një hap të rëndësishëm drejt sigurimit të vendit të dytë. Në pozitën e tretë vazhdon të jetë Isaac Del Toro, me 9 minuta e 42 sekonda prapa Pogaçarit. Meksikani ka vetëm 24 sekonda epërsi ndaj talentit francez Paul Seixas, duke e bërë luftën për podium ende shumë interesante.
Etapa e 19-të, me gjatësi 127.9 kilometra nga Gap deri në Alpe d’Huez, përfshinte 3.500 metra ngjitje dhe u karakterizua nga një arratisje e madhe me rreth 40 çiklistë. Në grupin kryesues ishin emra si Lenny Martinez, Richard Carapaz, Yannis Voisard, Adam Yates, Sepp Kuss dhe Davide Piganzoli, të cilët krijuan një epërsi prej më shumë se katër minutash ndaj grupit të fanellës së verdhë.
Megjithatë, avantazhi nuk ishte i mjaftueshëm për t’i shpëtuar sulmit të Pogacarit. Edhe pse skuadra UAE Team Emirates u përball me vështirësi pas tërheqjes së Brandon McNulty dhe problemeve shëndetësore të Adam Yates e Tim Wellens, slloveni mori përgjegjësinë mbi vete. Rreth 13 kilometra para finishit ai sulmoi me një ritëm shkatërrues.
Asnjë nga rivalët kryesorë nuk ishte në gjendje ta ndiqte, ndërsa Juan Ayuso ishte ndër të parët që mbeti prapa grupit të favoritëve. Të shtunën zhvillohet etapa e 20-të, e fundit malore para finales në Paris. Çiklistët do të përshkojnë një itinerar tepër të vështirë nga Bourg d’Oisans drejt Alpe d’Huez, me plot 5.450 metra disnivel.
Në program janë katër ngjitje legjendare: Télégraphe, Croix de Fer, Galibier dhe ngjitja finale drejt Alpe d’Huez përmes Col de Sarenne. Drejtori i Tour de France, Christian Prudhomme, e cilësoi këtë si një etapë historike. “Nuk kemi pasur kurrë një etapë kaq të vështirë në prag të mbërritjes finale në Champs-Élysées.”
Me epërsinë që ka krijuar, Pogaçar është shumë pranë triumfit të katërt në karrierë në “Tour de France”, ndërsa lufta më e madhe tashmë mbetet për dy vendet e tjera të podiumit. Etapa e 19-të 1. Tadej Pogaçar (UAE Team Emirates XRG) 03h 17′ 57” – B : 10” – 2. Lenny Martinez (Bahrain Victorious) + 00h 00′ 06” B : 6” – 3. Richard Carapaz (EF Education – Easypost) + 00h 00′ 09” B : 4′ 4.
Sepp Kuss (Team Visma | Lease A Bike) + 00h 01′ 14” 5. Tobias Johannessen (UNO-X Mobility) + 00h 02′ 07” 6. Remco Evenepoel (Red Bull – Bora – Hansgrohe) + 00h 02′ 29′ 7, Isaac Del Toro (UAE Team Emirates XRG) + 00h 02′ 41” 8. Mattias Skjelmose (LIDL-TREK) + 00h 02′ 45′ 9. Paul Seixas (Decathlon CMA CGM Team) + 00h 02′ 45” 10. Harold Tejada (XDS Astana Team) + 00h 03′ 22”
Renditja e përgjithshme 1. Tadej Pogaçar (UAE Team Emirates XRG) 67h 53′ 00 2. Remco Evenepoel (Red Bull – Bora – Hansgrohe) + 00h 07′ 11” 3. Isaac Del Toro (UAE Team Emirates XRG) + 00h 09′ 42” 4. Paul Seixas (Decathlon Cma Cgm Team) + 00h 10′ 06” 5. Lenny Martinez (Bahrain Victorious) + 00h 13′ 00” 6. Mattias Skjelmose (LIDL-TREK) + 00h 13′ 09” 7.
Juan Ayuso (LIDL-TREK) + 00h 15′ 58” 8. Richard Carapaz (EF Education – Easypost) + 00h 21′ 15” 9. Tom Pidcock (Pinarello-Q36.5 Pro Cycling Team) + 00h 21′ 30” 10. Jordan Jegat (Totalenergies) + 00h 23′ 21”
