Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor i është kundëpërgjigjur reagimeve në lidhje me rrënimin e objekteve buzë Liqenit të Ujmanit, duke thënë se për mbrojtja e resurseve ujore përbën një prioritet strategjik kombëtar, ndaj ruajtja e pronave ujore është vendosur në qendër të angazhimit tonë institucional.
Kjo Ministri ka bërë të ditur se në kuadër të të njëjtit prioritet që e kanë quajtur “strategjik”, po shqyrtohen me intensitet të lartë edhe kërkesat e tjera institucionale për ndërtimet pa leje sidomos afër dy liqeneve të tjerë.
Si rrjedhojë, Ministria tha se do të shyqyrtohen kërkesat që lidhen me uzurpimet dhe ndërtimet pa leje sidomos rreth Liqenit të Batllavës dhe Liqenit të Badovcit, dy burime kyçe të furnizimit me ujë të pijshëm.
Prandaj, sipas Ministrisë, kanë nisur trajtimin e menjëhershëm të kërkesave nga institucionet dhe ndërmarrjet publike për lirimin e të gjitha pronave ujore të uzurpuara apo të tjetërsuara jashtligjshëm.
“ Në kuadër të të njëjtit prioritet strategjik, po shqyrtohen me intensitet të lartë edhe kërkesat e tjera institucionale që lidhen me uzurpimet dhe ndërtimet pa leje sidomos rreth Liqenit të Batllavës dhe Liqenit të Badovcit, dy burime kyçe të furnizimit me ujë të pijshëm për qytetarët tanë.
Ky përkushtim strategjik për mbrojtjen e ujërave po zbatohet me të njëjtin vendosmëri në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës”- Ministria në krye me Fitore Pacollin ka sqaruar se aksioni i fundit në zonën e Liqenit të Ujmanit, ku me asistimin e Inspektoratit të MMPH-së dhe Policisë së Kosovës u rrënuan 16 objekte të ndërtuara pa leje në pronat ujore nën administrimin e N.P.
“Ibër-Lepenci”, është vetëm një nga hapat e këtij plani. “Të gjitha palët e përfshira në këtë aksion ishin njoftuar paraprakisht në përputhje të plotë me procedurat ligjore”- shkruan tutje.
Inspektorati i MMPH-së, sipas Ministrisë po vijon identifikimin e plotë të shkeljeve në këto zona dhe, sapo të përfundojë ky proces, do të ndërmerren masa të menjëhershme ligjore për rikthimin e këtyre hapësirave në funksion të interesit publik. “Njëkohësisht, Inspektorati po vazhdon monitorimin e rreptë të të gjitha zonave të mbrojtura dhe parqeve kombëtare.
Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor mbetet e palëkundur në misionin e saj: përmes zbatimit të ligjit dhe bashkëpunimit ndërinstitucional, do të mbrojmë çdo resurs ujor dhe natyror të Republikës së Kosovës nga çdo formë e uzurpimit apo ndërtimit të paligjshëm”- shkruan në reagim.
Disa nga misionet diplomatike në Kosovë shprehën shqetësimin për rrënimin e shtëpive pranë Liqenit të Ujmanit duke thënë se po i përcjellin nga afër zhvillimet lidhur me këtë çështje. Në një reagim publik, Ambasada britanike ka theksuar se respektimi i sundimit të ligjit kërkon procese të drejta dhe transparente, si dhe që personat e prekur të kenë mundësi t’i ushtrojnë të drejtat e tyre.
“Jemi veçanërisht të shqetësuar nga raportet se veprimet zbatuese kanë vazhduar ndërsa procedurat ligjore mbeten në vazhdim. Ligji duhet të zbatohet në mënyrë të vazhdueshme dhe të paanshme në të gjithë Kosovën.
Ne i nxisim autoritetet e Kosovës të angazhohen me komunitetet e prekura, të adresojnë shqetësimet në mënyrë transparente dhe të shmangin veprimet e mëtejshme që mund të dëmtojnë besimin publik ose besimin ndërkomunitar”- Ambasada ka kërkuar që ligji të zbatohet në mënyrë të njëtrajtshme dhe të paanshme në të gjithë Kosovën, ndërsa u ka bërë thirrje autoriteteve kosovare që të angazhohen me komunitetet e prekura dhe të trajtojnë shqetësimet në mënyrë transparente.
Sipas ambasadës britanike, autoritetet duhet të shmangin veprime të mëtejshme që mund të dëmtojnë besimin e publikut ose besimin ndërmjet komuniteteve. Reagimi vjen pas aksioneve për rrënimin e disa objekteve banimi në zonën përreth Liqenit të Ujmanit, të cilat kanë nxitur reagime politike dhe publike.
Para saj, Zyra e BE-së në Kosovë, Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë dhe ajo e Italisë, kanë bërë thirrje për ndërprerjen e menjëhershme të çdo rrënimi të shtëpive pranë Liqenit të Ujmanit.
“Ajo bën thirrje për ndërprerjen e menjëhershme të çdo rrënimi, largimi të detyruar apo marrjeje në posedim të mëtejshme derisa shqetësimet lidhur me procedurën e rregullt ligjore, proporcionalitetin, të drejtat pronësore, të drejtat e njeriut dhe mjetet juridike efektive të adresohen në mënyrë të duhur”- që është mbështetur dhe shpërndarë edhe nga Ambasada Gjermane.
Kjo e fundit ka potencuar se ruajtja e procesit të rregullt ligjor dhe respektimi i parimeve të sundimit të ligjit, siç janë të sanksionuara në Kushtetutën e Kosovës, janë thelbësore për rrugën evropiane të Kosovës.
“Ne kërkojmë ndalimin e menjëhershëm të veprimeve të tilla dhe kërkojmë zgjidhje transparente dhe të ligjshme”- Ndërkaq, BE-ja ka theksuar se është e shqetësuar për mungesën e respektimit të procedurës së rregullt ligjore në këtë dhe në disa raste të tjera të kohëve të fundit në veri të Kosovës që nga shkurti i këtij viti.
“Autoritetet duhet të bashkëpunojnë pa vonesë me banorët dhe komunat e prekura dhe të shqyrtojnë zgjidhje të ligjshme. Roli i Policisë së Kosovës në operacione të tilla duhet të mbetet rreptësisht brenda mandatit të saj ligjor, të bazohet në kërkesa ose vendime të qarta të autoriteteve kompetente dhe të dokumentohet në mënyrë të duhur”- shkruan në reagim.
Sipas Zyrës së BE-së, masat e pakthyeshme të zbatimit në kontekstin e procedurave në zhvillim dhe pretendimeve të kontestuara pronësore ngrisin shqetësime serioze për sundimin e ligjit.
“Në përputhje me rrugën evropiane të Kosovës, BE-ja pret që autoritetet t’i adresojnë këto shqetësime me urgjencë dhe transparencë dhe të sigurojnë që veprime të ngjashme të mos përsëriten”- përfundon reagimi. Nën asistimin e Policisë së Kosovës më , nisi rrënimi i njëmbëdhjetë shtëpive në bregun e Liqenit të Ujmanit, në komunën e Zubin Potokut.
Aksioni rihapi debatin për të drejtat pronësore dhe kompetencat e institucioneve. Autoritetet e Kosovës thonë se objektet janë ndërtuar pa leje në tokën që administrohet nga Ndërmarrja Publike Hidroekonomike “Ibër-Lepenci”, ndërsa pronarët pretendojnë se prona është subjekt i një procesi gjyqësor dhe se rrënimi i objekteve nuk është dashur të nisë para përfundimit të procedurave.
Më , Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli njoftoi në rrjetin social Facebook në lidhje me aksionin që ka ndërmarrë Inspektorati i Ministrisë. Sipas ministres Pacolli, aksioni në Ujman u zhvillua për të rikthyer në administrim të Ibër- Lepencit, prona të uzurpuara në pjesën e veriut të Kosovës. “Mbrojtja e ujërave mbetet prioriteti ynë kryesor.
Për këtë arsye, do të vazhdojmë t’i mbrojmë, t’i menaxhojmë me përgjegjësi dhe t’i zhvillojmë si një pasuri jetike për Kosovën”- ka shkruar ministrja Pacolli.
