Miratohet zgjerimi i ngrohjes qendrore, premtohet shtrirje mbi 50%

0%

Në mesin e disa vendimeve të miratuara, Qeveria e Kosovës ka vendosur pro marrëveshjes që siguron zgjerimin e ngrohjes qendrore në Prishtinë, nëpërmjet grantit në vlerë prej 17.2 milionë eurove.

Kjo marrëveshje e cila do të nënshkruhet ndërmjet Ministrisë së Financave, “Termokosit” dhe Bankës Evropiane për Investime, sipas kryeministrit në detyrë, është një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore në sektorin e energjisë “Me këtë nismë hapim rrugën për lidhjen e marrëveshjes së grantit midis Republikës së Kosovës, Termokosit dhe Bankës Evropiane për Investime, duke siguruar mbështetje financiare për realizimin e këtij projekti me ndikim të drejtpërdrejtë në cilësinë dhe mirëqenien e jetës së qytetarëve ”, tha Kurti.

Ndërkaq ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati tha se do të rritet mbulueshmëria me ngrohje qendrore përmbi 50%. “Marrëveshja synon zgjerimin e sistemit të ngrohjes qendrore në Prishtinë përmes zgjerimit të rrjetit drejt zonave dhe konsumatorëve të rinj.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Projekti pritet të përmirësojë cilësinë dhe sigurinë e furnizimit me ngrohje, të zgjerojë mbulueshmërinë e rrjetit për mbi 50% të kërkesës për ngrohje në Prishtinë, si dhe do të kontribuojë në uljen e ndotjes së ajrit përmes reduktimit të përdorimit të energjisë elektrike dhe lëndëve të tjera djegëse për ngrohje”, tha Murati.

Në anën tjetër, Qeveria e Kosovës miratoi edhe Marrëveshjen Ndërkombëtare ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për aderimin në zonën “EU Roam Like Home”, e cila do të jetë parakusht për implementimin e plotë të “EU Roaming Acquis”.

Është aprovuar gjithashtu propozim vendimi për qiradhënie sipas kërkesës nga Agjencia Pyjore e Kosovës, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, në kohëzgjatje prej 15 vjetësh për nxjerrjen dhe shfrytëzimin e gurit gëlqeror.

Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektrregulloren për zhvillimin e procedurave të rekrutimit për zjarrfikës; propozimvendimin për dhënien në shfrytëzim të hapësirës prej rreth 30 ari, e cila është në pronësi të Agjencisë Pyjore të Kosovës – Ndërmarrja e Pyjeve në Prizren, për Ministrinë e Drejtësisë dhe propozim vendimin për aprovimin e Kornizës për Ndërtimin e Kapaciteteve Digjitale për Qeverinë e Kosovës.

Burimi: Bota Sot