Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka kritikuar faktorin ndërkombëtar, duke thënë se po bën “presion” mbi Këshillin Gjyqësor të Kosovës (KGJK) dhe Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK) në lidhje me ish-prokurorët dhe ish-gjyqtarët serbë që po kërkojnë të kthehen në institucionet e vendit.
Haxhiu i bëri thirrje KGJK-së që të mos bien pre e ndikimeve as vendore as ndërkombëtare. “Imagjinoni në sisemin tonë të drejtësisë të kemi gjyqtarë dhe prokurorë që i binden një shteti tjetër.
Kush nga këta partnerë ndërkombëtarë që sot bëjnë presione të këta këshilla, do lejonte që në shtetet e tyre të kishte gjyqtarë dhe prokurorë që dirigjohen nga një shtet tjetër, dhe kush nga këta që neve na thërrasin gjithnjë për sundim të ligjit dhe për pavarësi të sistemit të drejtësisë do kërkonte të vendosej diçka që është në kundërshtim me ligjin”- iu kundërpërgjigj Haxhiu reagimeve të misioneve të shteteve partnere në Kosovë.
Haxhiu ka deklaruar se, sipas të dhënave që ka në dispozicion, ish-gjyqtarët, ish-prokurorët dhe stafi administrativ serbë që janë dorehequr në vitin 2022, kanë përfituar dhe vazhdojnë të përfitojnë mjete financiare nga Serbia. Megjithatë, ajo në fund të konferencës tha se nuk po flet për 100% prej tyre, por për një shumicë prej tyre.
Ajo tha se pjesa dërrmuese e tyre kanë pranuar pagesa nga Serbia që nga viti 2017 e deri më sot, duke shtuar se edhe gjatë kohës kur ushtronin funksionin e gjyqtarit dhe prokurorit në institucionet e Kosovës, ata janë paguar nga Serbia. “Pjesa dërmuese e tyre kanë pranuar dhe vazhdojnë të pranojnë mjete financiare nga Serbia që nga viti 2017 e deri më tani.
Edhe gjatë kohës sa ata kanë qenë prokurorë dhe gjyqtarë në Institucionet e Kosovës janë paguar nga Serbia”- tha ajo në konferencë për media më . Sipas Haxhiut, lojaliteti i tyre ndaj Serbisë është shpërblyer me mjete financiare në një kohë kur pritej që mandatin ta ushtronin në shërbim të qytetarëve dhe interesave të Republikës së Kosovës.
Haxhiu tha se, për shkak të ndërhyrjeve nga Serbia, në shumë raste administrimi i drejtësisë në veri ka dështuar në të kaluarën dhe se ekzistojnë dyshime të bazuara se këto veprime kanë qenë të qëllimshme dhe të lidhura me qarqe të krimit dhe pushtetit në Serbi.
Ajo shtoi se për një pjesë të tyre ka dëshmi se kanë kryer edhe aktivitete të tjera të kundërligjshme, duke u angazhuar në shërbim të strukturave ilegale që kanë operuar në veri, në kundërshtim me rendin juridik dhe kushtetues.
Duke folur për çështjen e rikthimit të tyre në sistemin e drejtësisë, Haxhiu tha se legjislacioni në fuqi e përcakton qartë se mandati i gjyqtarit apo prokurorit përfundon me dorëheqje dhe se ky efekt nuk varet nga ndonjë vendim politik apo akt diskrecional i këshillave.
Ajo theksoi se ligji nuk parasheh asnjë mekanizëm për rikthimin në të njëjtin mandat dhe se as Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK) dhe as Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) nuk kanë kompetencë ligjore për të anuluar pasojat e dorëheqjes apo për të rivendosur një mandat të përfunduar. “Ushtrimi i një kompetence që nuk ekziston do të ishte shkelje e parimit të legalitetit”- deklaroi Haxhiu.
Sipas saj, ligji obligon këshillat që, pas dorëheqjes së një gjyqtari apo prokurori, t’i propozojnë presidentit lirimin nga detyra. “Për këtë arsye u jam drejtuar këshillave që të më dërgojnë emrat e atyre që kanë dhënë dorëheqje”- tha ajo.
Haxhiu tha se KGjK-në se po ia pamundëson ushtrimin e përgjegjësive kushtetuese duke mos ia dorëzuar kërkesat për lirim nga detyra dhe i bëri thirrje këtij institucioni të ndjekë praktikën e KPK-së, por edhe praktikën e vet, duke rikujtuar se para pak kohe ajo ka liruar nga detyra një gjyqtare shqiptare.
Në fund, ajo paralajmëroi se nëse KGjK vepron në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, atëherë, sipas saj, bëhet fjalë për një precedent shumë të rrezikshëm dhe për abuzim me përgjegjësitë që i ka ky institucion.
Bashkimi Evropian kërkoi që partitë politike të mos i bëjnë presion KGJK-së në vendimarrje, pasi disa eksponentë të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, kërkuan që këshilli të marrë vendim për moskthimin në punë të gjyqtarëve serbë.
Më , Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka refuzuar kërkesën e ish-prokurorëve serbë dhe stafit të tyre mbështetës për t’u rikthyer në sistemin prokurorial të Kosovës.
Ish-prokurorët serbë kishin kërkuar që t’u mundësohej rikthimi në vendet e tyre të punës, pasi kishin dhënë dorëheqje në nëntor të vitit 2022, kur përfaqësuesit serbë u larguan nga institucionet e Kosovës në veri të vendit. Pas shqyrtimit të kërkesës, shumica e anëtarëve të Këshillit Prokurorial vendosën ta refuzojnë atë.
Me katër vota për refuzimin dhe tri kundër, KPK-ja vendosi që ish-prokurorët serbë dhe stafi i tyre mbështetës të mos rikthehen në sistemin prokurorial të Kosovës. Për refuzimin e tërheqjes së dorëheqjeve votuan anëtarët Dardan Vuniqi, Visar Krasniqi, Elza Bajrami-Kastrati dhe Arlinda Muqa.
Kundër votuan kryesuesi i KPK-së, Arian Gashi, Kryeprokurori i Shtetit, Zejnullah Gashi, dhe anëtari Milot Krasniqi. Propozimi për refuzimin e kërkesave u paraqit nga zëvendëskryesuesi i KPK-së, Dardan Vuniqi.
Ndërkaq, kryesuesi Arian Gashi propozoi që çështja të shtyhej për një mbledhje tjetër, me arsyetimin se nevojiteshin konsultime me Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe përgatitja e materialeve shtesë. Propozimi i tij u mbështet nga Kryeprokurori i Shtetit, Zejnullah Gashi, dhe anëtari Milot Krasniqi, por nuk mori shumicën e votave.
Gjatë diskutimit, kryesuesi Arian Gashi tha se integrimi i prokurorëve serbë kishte ardhur si rezultat i marrëveshjeve ndërkombëtare.
“Ata nuk kanë ardhë si rezultat i një procesi të rregullt rekrutues në kuadër të këtij Këshilli, ashtu siç është zhvilluar në çdo rast tjetër, por kanë ardhë si rezultat i një marrëveshjeje ndërkombëtare që Republika e Kosovës ka arritur me shtetin fqinj, e cila marrëveshje ka kalu në Kuvendin e Kosovës dhe është bërë ligj dhe duhet zbatuar.” Ish-prokurorët serbë dhe stafi i tyre mbështetës kishin dhënë dorëheqje në nëntor të vitit 2022, në kuadër të largimit kolektiv të përfaqësuesve serbë nga institucionet e Kosovës.
KALLXO.com më raportoi se gati katër vjet pasi kishin ofruar dorëheqjet e tyre e që të njëjtat nuk ishin trajtuar, disa gjyqtarë dhe prokurorë serbë kanë dorëzuar kërkesë për t’u rikthyer në vendet e tyre të punës.
Më , në një mbledhje në Mitrovicë të Veriut, të ftuar nga Lista Serbe, në të cilën morën pjesë zyrtarë të lartë shtetërorë nga komuniteti serb, u njoftua largimi i tyre nga institucionet, përfshirë nivelin qendror ekzekutiv, lokal dhe nga gjyqësori.
Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, në një tjetër takim të përfaqësuesve politikë dhe institucional të serbëve të mbajtur në Zveçan, njoftoi për bojkotimin e institucioneve të Kosovës duke treguar edhe vendimet që ishin marrë në këtë mbledhje.
Rakiq ka thënë se këto vendime do të jenë në fuqi derisa Prishtina të fillonte të respektojë marrëveshjet dhe ligjin, derisa të tërheqë vendimin për targat dhe të formojë Asociacionin në përputhje me Marrëveshjen e Parë dhe të gjitha marrëveshjet e tjera të lidhura për këtë çështje në kuadër të Dialogut dhe në bazë të punës së Ekipit Menaxhues për hartimin e Statutit të Asociacionit.
Gjyqtarë, zyrtarë policorë e personel administrativ të cilët po mbanin pozita në institucionet e Kosovës në komunat në veri me shumicë serbe, në atë kohë kanë ofruar dorëheqjet e tyre.
E gjitha erdhi pas suspendimit të Nenad Gjuriqit nga pozita e të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, pas refuzimit dhe rezistencës për moslëshimin e fletëqortimeve për shoferët që kanë automjete me targa të lëshuara nga Serbia.
