Më , Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) theksoi në një ekspertizë se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës e 17 shkurtit 2008 nuk është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare. Instanca më e lartë juridike e OKB-së i dha përparësi të drejtës së shqiptarëve të Kosovës për vetëvendosje.
Ministri i atëhershëm i Jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiq, kishte pritje të mëdha nga vendimi dhe rezultati qe një fiasko e vërtetë për Beogradin. Jeremiq e quante vendimin e GJND-së «moment të së vërtetës». Ky moment erdhi, por jo siç e kishte parashikuar Serbia. Kosova shënoi një fitore të rëndësishme juridike, Serbia u ballafaqua me një humbje të madhe. Por çfarë prodhoi kjo fitore?
U arritën disa njohje nga shtete të ndryshme, Kosova u pranua në FIFA dhe UEFA. Njëkohësisht Kosova hyri në një spirale negociatash me Serbinë që u dëshmua si rrugë pa krye, me një BE më shumë si spektatore dhe moderatore neutrale se si ndërmjetësuese që respektonte gjendjen faktike dhe vendimin e GJND-së.
Vendimi i GJND-së u zhvlerësua edhe nga debatet mbi «korrigjimin e kufijve» mes Kosovës e Serbisë. Për dallim nga presidentët Bill Clinton dhe George W.
Bush, të cilët e trajtuan me prioritet çështjen e Kosovës – i pari duke ndërhyrë ushtarakisht më 1999, i dyti duke e paralajmëruar shpalljen e pavarësisë gjatë vizitës së tij në Shqipëri në fillim të qershorit 2007 – qeveria e presidentit Barack Obama nuk tregoi ndonjë interes të theksuar ndaj Kosovës.
Ndërsa Bush gjatë konferencës për media me kryeministrin e Shqipërisë Sali Berisha në Tiranë më – në përvjetorin e Lidhjes së Prizrenit – kishte thënë se «besojmë se Kosova duhet të jetë e pavarur» dhe «në një moment, më shpejt se vonë, duhet thënë ‘mjaft është mjaft, Kosova është e pavarur’», administrata e Obamës më shumë u përqendrua në themelimin e Gjykatës Speciale dhe në normalizimin e raporteve me Serbinë.
Kjo u pa edhe gjatë vizitës së nënpresidentit Joe Biden më 2016 në Beograd dhe takimeve me liderin serb Aleksandar Vuçiq. Atëbotë Biden shprehu keqardhje për viktimat civile të ndërhyrjes së NATO-s, ndërsa Vuçiqi ia bleu një palë opinga në tregun e Beogradit. Ardhja në pushtet e Donald Trumpit më 2017, pas fitores së zgjedhjeve më 2016, ndryshoi dukshëm situatën.
Me Ballkanin dhe sidomos çështjen e Kosovës filluan të merren jo diplomatë me njohuri për rajonin, por tipa si Richard Grenelli. Këshilltari për Siguri Nacionale i Trumpit, John Bolton, tha në gusht të vitit 2018 se SHBA-të nuk do të kundërshtonin «korrigjimin e kufijve» mes Kosovës e Serbisë. Ndryshimi i kufijve dështoi pas rezistencës së disa shteteve të fuqishme europiane.
Pasoi Marrëveshja e Washingtonit e shtatorit 2020. Ajo ishte një simulim i marrëveshjes me një përfitim për Kosovën: njohjen nga Izraeli.
Pikat e tjera të marrëveshjes më shumë i ngjajnë një koncerti dëshirash dhe synimesh jorealiste, siç ishte linja ajrore mes Prishtinës dhe Beogradit. (Sa i përket njohjes nga Izraeli: Kosova e hapi Ambasadën në Jerusalem, në kundërshtim me politikat e BE-së, ndërsa Serbia premtoi para Trumpit se do e hapte Ambasadën në Jerusalem, por këtë nuk e bëri, sepse nuk donte të nevrikoste shtetet arabe).
Në 10 vitet e fundit Kosova më shumë është marrë me vetveten se sa me angazhime serioze për forcimin e shtetit. Mes viteve 2016-2021 qeveritë e përbëra nga PDK, LDK dhe AAK u kurthuan në mosmarrëveshje dhe mospajtime të thella lidhur me «korrigjimin e kufijve»: disa për, disa kundër, disa në betejë të ashpër me Vetëvendosjen, disa (si udhëheqja e LDK-së) duke e parë VV-në si partnerin e vetëm me të cilin mund të shporrej nga skena politike PDK (deri në vitin 2021 kjo ka qenë retorikë dominuese në LDK).
Mes viteve 2021-2026 qeveria e kontrolluar nga Lëvizja Vetëvendosje dështoi t’i përshtatet rrethanave të reja gjeopolitike dhe ndryshimeve politike në Washingtonin e Donald Trumpit. Nuk u investua si duhet as në lobim, as në rritjen e kapaciteteve të përfaqësimit diplomatik në Washington. Paralajmërime se situata në Washington ka ndryshuar kishte mjaft në këto 10 vite.
Shoqëria amerikane është thellësisht e polarizuar. Republikanët e dikurshëm transatlantikë kanë gjithnjë e më pak ndikim, ndërsa lëvizja MAGA, e cila nën drejtimin e Trumpit ka futur nën kontroll partinë dikur krenare republikane, hedh poshtë pothuaj çdo gjë që përfaqëson Partia Demokratike, e cila gjithnjë e më shumë po bie nën ndikimin e të ashtuquajturës «lëvizje woke» me debate se sa duhet të ketë nevojtore në New York edhe për njerëz që nuk e kanë të qartë a janë burra apo gra.
Një rast ekstrem, por që është dashur ta alarmojë klasën politike të Kosovës, ka qenë një intervistë për CNN e ushtarakut amerikan Douglas Macgregor në vitin 2020, të cilin Trump deshi ta bënte ambasador në Berlin (dhe kësisoj pasardhës të Grenellit), por kjo dështoi pas rezistencës në Senat.
Nën komandën e Wesley Clarkut, Macgregor shërbeu nga tetori i vitit 1998 deri në janar të vitit 2000 si drejtor i Qendrës së Operacioneve të Përbashkëta të NATO-s dhe përgjegjës për planifikimin e operacioneve të forcave të NATO-s gjatë luftës së Kosovës. Në bisedë me CNN, Douglas Macgregor kritikoi intervenimin e NATO-s më 1999.
Ai tha se si pasojë e ndërhyrjes kundër «serbëve ortodoksë të krishterë», Kosova iu dorëzua një «mafie myslimane të drogës». Kjo, sipas Macgregor, u paraqit si një histori suksesi e demokracisë. Duke folur për shqiptarët e Kosovës, Macgregor tha: «Këta njerëz nuk kanë qenë kurrë miqtë tanë. Nuk do të jenë kurrë miqtë tanë. Ata janë të pashërueshëm në armiqësinë e tyre.
Po flas për islamistët sunitë». Një koment i së përditshmes amerikane «The Washington Post», i botuar më , e cilësoi Macgregorin si një «fanatik racist» («a racist crackpot»). Sipas këtij komenti, ai është pro Putinit, kundër kancelares gjermane Angela Merkel dhe, sa i përket marrëdhënieve transatlantike, edhe më i keq se Richard Grenell.
Negociatat mes Kosovës e Serbisë i bënë edhe më skandaloze ndërmjetësi i BE-së Mirosllav Lajçak dhe kryediplomati i BE-së Josep Borrell. Të dy vinin nga shtete që refuzojnë ta njohin pavarësinë e Kosovës.
Në vitin 2026 Kosova gjendet në një qorrsokak si pasojë e mungesës së një ideje se si të përmbyllet, për shembull, rruga e hapur me marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013, e cila, mes tjerash, parasheh krijimin e një bashkësie të komunave serbe në Kosovë.
Klasa politike e Kosovës, përfshirë VV-në, e ka pranuar se ka obligime për të themeluar asociacionin e komunave serbe, por debati ka ngecur në fajësime të ndërsjella se kush ka negociuar më dëmshëm për Kosovën – opozita e tanishme kur ishte në pushtet apo qeveria e VV-së me marrëveshjen e Ohrit të vitit 2023?
Ata që e negociuan marrëveshjen e vitit 2013 dhe atëbotë thanë se Serbia de fakto pranoi pavarësinë e Kosovës, pas dy vitesh, më 2015, thanë krejt diçka tjetër: sipas tyre marrëveshja e 2013 nuk paskësh siguruar njohjen nga Serbia, por përmban brenda vetes rrezikun e krijimit të një “republike serbe” brenda Kosovës. Këto pirueta tregojnë joseriozitetin e klasës politike të Kosovës.
Mësime nga e dështimet nuk janë nxjerrë. Kosova ka hyrë në vitin e dytë me qeverisje emergjente (qeveri në detyrë), me zgjedhje të njëpasnjëshme dhe paaftësi të klasës politike për të themeluar institucione me legjitimitet të plotë.
Duket se askujt nuk i bëhet vonë për asgjë, ndërsa Serbia është në ofensivë diplomatike në Washington, duke tentuar të bëhet pjesë e lëvizjes MAGA dhe duke joshur zyrtarë të administratës Trump me «argumentin» se Serbia në Kosovë ka luftuar përherë islamistët shqiptarë. Nga ky këndvështrim duhet parë edhe vizita e një kleriku amerikan dhe këshilltari joformal të Trumpit në Kosovë.
Agjendën e vizitës së tij e përgatiti Kisha Ortodokse Serbe, e cila me jo pak sukses është duke e plasuar në Perëndim propagandën se bashkësia ortodokse serbe në Kosovë është e rrezikuar. Autoritetet e Kosovës kanë vendosur t’ia lehtësojnë punën Kishës Serbe duke toleruar veprimtarinë në Kosovë të një mashtruesi nga Elbasani, i cili paraqitet si shef i njëfarë «Kishe Ortodokse të Kosovës».
Vetë Kisha Ortodokse e Shqipërisë e quan personin Nikolla Xhufka mashtrues.
