Një operacion i përbashkët i Policisë së Kosovës, Prokurorisë dhe Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë ka çuar në arrestimin e një shtetasi turk, i cili dyshohet se ishte i përfshirë në një skemë të falsifikimit të dokumenteve dhe punësimit të shtetasve të huaj në Kosovë.
Sipas hetimeve, i arrestuari Dervish Kelleci, pronar i një biznesi të regjistruar në Kosovë, dyshohet se ka vepruar si ndërmjetës për sjelljen dhe punësimin e shtetasve turq, kryesisht si korrierë me skuter për kompani të shpërndarjes së ushqimit.
Dyshimet e hetuesve janë se përmes dokumentacionit të falsifikuar, punëtorët e huaj arrinin të punësoheshin në Kosovë, ndërsa skema dyshohet se kishte përfshirë edhe persona nga administrata publike. Kelleci dyshohet se rekrutonte punëtorë përmes shpalljeve online në gjuhën turke, ku ofronte mundësi punësimi si shpërndarës me motoçikletë.
Në disa raste, ai u ofronte kandidatëve edhe pajisje pune, përfshirë skuterë, çanta dhe helmeta. Rasti po vazhdon të hetohet nga institucionet kompetente, ndërsa autoritetet pritet të japin më shumë detaje pas përfundimit të veprimeve hetimore.
Sinjali mëson ekskluzivisht se në kuadër të këtij operacioni kanë përfunduar në pranga edhe dy zyrtare, Gylsen Jahiri (rreth 51 vjeç) dhe Fatma Shufta (rreth 47 vjeç), ndërsa Elvire Krasniqi Qerka (rreth 54 vjeç) është proceduar në këtë rast dhe është liruar në procedurë të rregullt.
Hetimet dyshojnë për një skemë të organizuar për sigurimin e lejeqëndrimeve për shtetas të huaj përmes anashkalimit të procedurave ligjore dhe përfitimeve financiare. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
