Drejtoria e Mirëqenies Sociale ka njoftuar se ekipet e Kompanisë Rajonale të Mbeturinave “Pastrimi”, në bashkëpunim me institucionet komunale kanë zhvilluar mbrëmjen e së mërkurës një aksion për pastrimin e një hapësire në rrugën “Lidhja e Pejës”, ku ishin grumbulluar sasi të konsiderueshme mbeturinash dhe gjësendesh të ndryshme.
Sipas njoftimit, aksioni është zhvilluar në orët e vona të natës, ndërsa nga lokacioni janë larguar mbeturina, orendi dhe materiale të tjera të grumbulluara. Autoritetet bëjnë të ditur se personi që dyshohet se i kishte grumbulluar këto materiale është identifikuar, ndërsa institucionet kompetente kanë ndërmarrë veprimet përkatëse.
Me rastin janë duke u marrë Policia e Kosovës, Qendra për Punë Sociale dhe ekipet e shëndetit mendor, të cilat po trajtojnë rastin në përputhje me kompetencat e tyre. Në fund të njoftimit, është shprehur mirënjohje për punëtorët e Kompanisë Rajonale të Mbeturinave “Pastrimi” për reagimin e shpejtë dhe angazhimin në mirëmbajtjen e pastërtisë së hapësirave publike.
