Ka nisur rrënimi i një shtëpie në afërsi të “Rrugës A” në Prishtinë, e cila ishte dëmtuar dhe paraqiste rrezik për shembje si pasojë e punimeve në këtë zonë. Vendimi për rrënimin e objektit kishte shkaktuar reagime, pasi pronari kishte kundërshtuar largimin nga shtëpia. Megjithatë, Komuna e Prishtinës kishte insistuar se objekti paraqiste rrezik dhe duhej të largohej për arsye sigurie.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka deklaruar më herët se shtëpia ishte ndërtuar pa leje dhe në pronë komunale, ndërsa sipas tij, familja ishte njoftuar paraprakisht për rrezikun që paraqiste objekti.
Sipas komunës, familja është zhvendosur përkohësisht dhe shpenzimet e qirasë janë mbuluar nga institucioni komunal, pas largimit nga objekti për shkak të punimeve për zgjerimin e “Rrugës A”. Punimet në këtë segment rrugor kanë vazhduar, ndërsa rrënimi i objektit synon eliminimin e rrezikut për qytetarët dhe ekipet që punojnë në terren. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
