Komuna e Ferizajt ka reaguar ndaj raportimeve se Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (USHAF) nuk është përfshirë në planifikimin buxhetor për vitin 2027, duke e cilësuar këtë si një vendim të papranueshëm dhe me pasoja të rënda për arsimin e lartë dhe zhvillimin e qytetit.
Në një reagim publik, Komuna e Ferizajt ka vlerësuar se mospërfshirja e financimit të universitetit në Qarkoren Buxhetore për vitet 2027-2029 përbën shkelje ligjore dhe rrezikon funksionimin e institucionit.
“Lajmi i ditëve të fundit që po konfirmohet edhe nga Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj, se përmes Qarkores Buxhetore për vitin 2027 nuk është përfshirë në planifikim buxhetor financimi i Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj, është skandaloz, në shkelje të plotë ligjore e mbi të gjitha një sulm institucional mbi një institucion universitar”, thuhet në reagim.
Sipas Komunës, një vendim i tillë do të ndikonte drejtpërdrejt te studentët dhe zhvillimi ekonomik i Ferizajt. “Ky është një skandal i llojit më të rëndë publik, një vendimmarrje që i mbyll dyert studentëve, një vendim që e lë kryeqendrën e ekonomisë së vendit, motorin e zhvillimit ekonomik të Kosovës – Ferizajn, pa universitet, pa mundësi për studentët, pa kualifikime akademike për nevojat e tregut të punës”, theksohet në reagim.
Komuna i ka bërë thirrje Ministrisë së Arsimit dhe Ministrisë së Financave që ta rishqyrtojnë këtë vendim dhe të sigurojnë financimin e universitetit.
“Kërkojmë urgjentisht nga ministritë përkatëse të rishqyrtojnë vendimmarrjen e tyre, ashtu që Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj të ketë buxhetin e tij dhe të mund të funksionojë pa pengesa financiare apo administrative, në shërbim të dijes dhe të mijëra studentëve”, thuhet më tej.
Në fund të reagimit, Komuna e Ferizajt ka theksuar se nuk do të pranojë mbylljen e universitetit. “Ferizaj nuk lejon mbylljen e Universitetit. Ferizaj nuk hesht për mbylljen e themelatës ku ndër vite u kualifikuan breza të tërë studentësh, ku dija rangohet e kualifikohet në nivel akademik”, përfundon reagimi. / Telegrafi
