Eduardo Camavinga nuk e ka ndërmend të largohet nga Real Madridi, pavarësisht se klubi spanjoll është i hapur të dëgjojë oferta për të. Mesfushori francez mbetet i vendosur të luftojë për vendin e tij në ekip dhe e ka refuzuar interesimin e Manchester Cityt dhe Manchester Unitedit. Vera e vitit 2026 nuk ka shkuar sipas planeve për 23-vjeçarin.
Ai mbeti jashtë listës së Francës për Kupën e Botës, pas një sezoni të vështirë me Real Madridin, të shoqëruar nga lëndime dhe paraqitje jo bindëse. Sipas raportimeve të Marca, Camavinga është rikthyer në stërvitje me motivim maksimal, pasi i kaloi disa ditë pushimi dhe e ndoqi një kurs në Harvard Business School për argëtim, media dhe sport.
Objektivi i tij është i qartë: ta bindë trajnerin José Mourinho se e meriton të jetë pjesë e projektit të ri të Real Madridit. Edhe pse drejtuesit e klubit nuk e konsiderojnë si pjesë kyçe të planeve për sezonin e ri dhe janë të gatshëm ta shesin për rreth 50 milionë euro, Camavinga nuk dëshiron të largohet.
Manchester City dhe Manchester United kanë shfaqur interesim konkret për shërbimet e tij, por francezi i ka refuzuar të gjitha ofertat, duke zgjedhur të luftojë për një vend në “Santiago Bernabéu”. Ai pret që ndeshjet përgatitore të jenë mundësia ideale për ta bindur Mourinhon për vlerat e tij.
