Stuhia e fuqishme që përfshiu të martën rajonin e Pejës ka shkaktuar dëme materiale edhe në objektin e Shkollës Fillore dhe të Mesme të Ulët “28 Nëntori” në fshatin Raushiq. Sipas njoftimit të shkollës, si pasojë e motit të lig është dëmtuar një pjesë e kulmit të objektit shkollor.
“Si pasojë e stuhisë së fuqishme që përfshiu zonën tonë gjatë ditës së sotme, fatkeqësisht objekti i SHFMU ’28 Nëntori’ në Raushiq ka pësuar dëmtime materiale, konkretisht është dëmtuar një pjesë e kulmit të shkollës”, thuhet në njoftim.
Menjëherë pas evidentimit të dëmeve, drejtuesit e shkollës kanë njoftuar institucionet përgjegjëse dhe kanë kërkuar ndërhyrje urgjente për vlerësimin e situatës dhe sanimin e dëmeve.
“Menjëherë pas evidentimit të dëmit, janë njoftuar institucionet përgjegjëse, konkretisht Drejtoria e Arsimit në Pejë dhe Komuna e Pejës, dhe është kërkuar ndërhyrje urgjente për vlerësimin e gjendjes dhe sanimin e dëmeve të shkaktuara”, thuhet më tej. Nga shkolla bëhet e ditur se, pavarësisht dëmeve materiale, nuk ka persona të lënduar. “Fatmirësisht, nuk ka persona të lënduar.
Prioriteti ynë mbetet ruajtja e objektit shkollor”, përfundon njoftimi. / Telegrafi
