Komuna e Rahovecit ka njoftuar qytetarët që kanë pësuar dëme nga erërat e forta të 21 korrikut se kanë afat deri më 31 korrik për të paraqitur kërkesat për regjistrimin dhe vlerësimin e dëmeve. Sipas njoftimit të komunës, kërkesat duhet të dorëzohen personalisht në Administratën Komunale të Rahovecit, në sporteleve nr. 6, 7 dhe 8.
Për aplikim, qytetarët duhet të dorëzojnë kërkesën për kompensimin e dëmit të shoqëruar me fotografi me ngjyra të dëmeve të shkaktuara, kopjen e letërnjoftimit si dhe konfirmimin e llogarisë bankare. Pas pranimit të kërkesës, Komisioni Komunal për Vlerësimin e Dëmeve do të kontaktojë aplikuesit për të kryer inspektimin dhe vlerësimin e dëmeve në terren.
Për informata shtesë, qytetarët mund t’i drejtohen Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim. Komuna e Rahovecit u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të prekur që të respektojnë afatin e caktuar dhe të dorëzojnë dokumentacionin e nevojshëm brenda 31 korrikut, pasi kërkesat e paraqitura pas kësaj date nuk do të merren në shqyrtim.
