Haziri, thirrje bashkëpartiakëve: Mos hyni në beteja që nuk janë

0%

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, përmes një postimi në rrjete sociale ka folur për zhvillimet e brendshme në parti, me fokus thirrjen e Kuvendit të jashtëzakonshëm, i cili po kërkohet nga një pjesë e anëtarësisë me pretendimin për ta shkarkuar kryetarin Lumir Abdixhiku.

Haziri ka thënë se beteja e Abdixhikut me nënshkruesit e mocionit, në emër të kërkesave politike, është por edhe duhet të mbesë beteja e kryetarit të katërt të LDK-së me votuesit e tij. “Të gjithë ata që po dalin në analiza, vlerësime e mësime, për apo kundër, janë vetëm pozicionime politike për veten e tyre e jo për të ardhmen e LDK-së!”- shkroi Haziri.

Pozicionimeve, sipas tij, ‘ia kanë parë sherrin’, duke harruar se kënd e kanë familje politike, kush janë rivalët politikë dhe pse çdo herë kësaj partie i përsëritet situata e njëjtë. Tri degë e tre kolegë, Haziri ka thënë se shkaktuan proces, e më pas 1/3 e delegatëve u ftuan që të deklarohen me nënshkrime për kërkesën për shkarkimin e kryetarit.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

“Atëherë, çka po na duhen fjalët e tepërta me kah 10 statuse në ditë, me gjuhë të ashpër prej disa aktivistëve, ftesa për protestë në mbrojtje e konsumues politikë që po e gërryejnë besimin e idealistëve.”- shkroi tutje Haziri. Ai ka shtuar se funksionarët edhe mund të pajtohen, por jo besimtarët në sjelljen e funksionarëve. Këtë, sipas tij e ka dëshmuar koha.

Deputeti i zgjedhur i LDK-së konsideron se më mirë është të kërkohet falje për gabimet e së kaluarës se të vazhdohet me gabime. Këtë e ka thënë pa përmendur ndonjë emër apo ndonjë rast konkret. “LDK ka shkaktu procese e ka realizu ëndrra kur ka qenë e bashkuar. Kemi premtu që jemi besë e shpresë për Republikën. Mbajeni fjalën, bashkëpatriotë.

Mos hyni në beteja që nuk janë tuajat.”- shkroi tutje ai. Haziri, shkrimin e tij e përmbylli me një porosi të babait të tij, porosi e cila thotë: “Me dikënd që duhesh të pajtohesh, kurrë mos u idhno.” Zhvillimet në LDK Lumir Abdixhiku lajmëroi se pas dorëzimit të nënshkrimeve të delegatëve të Kuvendit të LDK-së për thirrjen e një Kuvendi të jashtëzakonshëm që të fillojë procesi i votëbesimit ndaj kryetarit, ai konsideron se në këto rrethana nuk mund të angazhohet në negociatat për formimin e institucioneve të vendit.

“Në këtë pikë më duhet t’i njoftoj qytetarët e vendit tim se për shkak të kësaj nisme detyrohem t’i ndërpres të gjitha angazhimet për formimin e institucioneve të Republikës, që i prisnin me të drejtë tash e sa kohë.

Në këto rrethana, për shkak të kësaj nisme nuk do të ishte as serioze, as e përgjegjshme që unë të vazhdoja të negocioja në emër të LDK-së, ndërkohë që mandati im për të udhëhequr dhe përfaqësuar atë është vënë në diskutim nga brenda shtëpisë sime” – ka theksuar Abdixhiku.

Gjatë këtij adresimi, Abdixhiku ka bërë të ditur se në selinë e LDK-së janë deponuar 148 nënshkrime të delegatëve të LDK-së për mbajtjen e Kuvendit të jashtëzakonshëm dhe shkarkimin e tij nga detyra e kryetarit të partisë. Sipas tij, pas verifikimit të plotë të nënshkrimeve pa asnjë vonesë do të caktohet data dhe vendi i mbajtjes së Kuvendit.

Sipas Statutit të LDK-së , Kuvendi thirret edhe atëherë kur këtë e kërkon 1/3 (një e treta) e delegatëve që e përbëjnë Kuvendin. Kuvendi i thirrur sipas paragrafit paraprak mbahet në afatin prej 60 ditësh nga dita kur është shtruar kërkesa me shkrim.

Mbledhja e nënshkrimeve për të thirrë Kuvendin e jashtëzakonshëm erdhi pasi që disa degë të LDK-së si Peja, Lipjani, Rahoveci, Dega e dytë e LDK-së në Prishtinë, ajo e Deçanit, e Austrisë kërkuan dorëheqjen e Abdixhikut pas rezultatit zgjedhor në qershor. Pasi që Abdixhiku refuzoi të dorëhiqej, filloi mbledhja e nënshkrimeve për shkarkimin e tij.

LDK në zgjedhjet e 7 qershorit ka fituar 18 ulëse në Kuvend pasi u rendit si subjekti i tretë në zgjedhje me 16.69% të votave.

Burimi: Kallxo